Kalaja: Irena Gjoka fshehu dënimin grek në 3 vetëdeklarime, institucionet e dinin

Data

Avokatja Adriana Kalaja ka dhënë deklarata të forta para SPAK, duke akuzuar institucionet e drejtësisë për mbulim të një skandali që lidhet me gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka. Sipas saj, ekzistojnë dokumente zyrtare nga autoritetet greke që vërtetojnë se Gjoka është dënuar me burg në Greqi dhe është dëbuar nga ky shtet, fakte që ajo i ka fshehur në mënyrë të përsëritur.

Kalaja deklaroi se gjyqtarja ka refuzuar të deklarojë dënimin penal, procedimin penal dhe dëbimet nga Greqia në tre formularë vetëdeklarimi, duke kryer, sipas saj, shkelje të rënda ligjore dhe penale. Ajo theksoi se kjo përbën jo vetëm mosdeklarim, por një krim të vazhdueshëm.

Sipas Kalasë, dokumenti autentik i dënimit të Gjokës është administruar jo vetëm nga ana e saj dhe është depozituar në SPAK, por më herët është njohur edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Megjithatë, sipas saj, asnjë prej këtyre institucioneve nuk ka marrë masa konkrete, as edhe një pezullim të përkohshëm nga detyra.

Avokatja shprehu shqetësim të thellë që, pavarësisht këtyre fakteve, gjyqtarja vijon të ushtrojë funksionin dhe të japë vendime, ndërsa çështja mbetet pa reagim institucional. Ajo deklaroi se sot ka depozituar një provë shtesë në SPAK, e cila vërteton jo vetëm dënimin penal në Greqi, por edhe dijeninë e plotë që ka pasur vetë gjyqtarja për këtë dënim, përfshirë edhe ankimimet e bëra prej saj në shtetin grek.

Kalaja theksoi se përveç dënimit penal, Gjoka nuk ka deklaruar as dy dëbime nga Greqia, në vitet 2002 dhe 2003, ndërkohë që ekziston edhe dokumentacion që tregon se ajo ka autorizuar një avokat grek për heqjen e këtyre dëbimeve.

Në fund, avokatja i bëri thirrje SPAK-ut të veprojë me urgjencë për ndjekjen penale të gjyqtares dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor për pezullimin dhe shkarkimin e saj nga detyra. Ajo paralajmëroi se, nëse institucionet nuk veprojnë, edhe drejtuesit e tyre do të mbajnë përgjegjësi ligjore për shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related