Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm deputetin dhe kryetarin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, për veprën penale të shpifjes, në çështjen e ngritur pas padisë së bërë nga Adriatik Lapaj.
Sipas vendimit të gjykatës, deklaratat publike të Shehajt, ku ai kishte akuzuar Lapajn për marrje parash nga krimi i organizuar, nuk plotësojnë elementët e veprës penale të shpifjes, duke çuar në rrëzimin e kësaj akuze.
Megjithatë, gjykata e ka gjetur Shehajn fajtor për veprën penale të fyerjes, duke e dënuar me një gjobë në vlerën 300 mijë lekë. Në arsyetim theksohet se deklaratat kanë cenuar figurën personale të Lapajt, por nuk përbëjnë shpifje në kuptimin penal.
Vendimi është dhënë nga gjyqtari Erjon Çela dhe mbetet për t’u parë nëse palët do ta ankimojnë atë në Apelin e Gjykatës së Posaçme.
