Analisti Aulon Kalaja ka lëshuar deklarata të forta në një intervistë televizive, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për mbrojtjen pa kushte të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim për disa afera të rënda.
Sipas Kalasë, Balluku duhet të kishte dhënë dorëheqjen që në fillim, por Rama ka zgjedhur ta mbrojë, duke marrë mbi vete një kosto shumë të lartë politike. “Është koka e tij në tepsi, e them me sinqeritet. Ai ka vënë në pikëpyetje ekzistencën e vet si kryeministër me këtë luftë që po bën,” u shpreh Kalaja.
Ai theksoi se strategjia e Ramës është përplasja e institucioneve të drejtësisë me njëra-tjetrën, ndërsa nënvizoi rëndësinë që SPAK të hedhë dritë të plotë mbi skandalet që lidhen me Ballukun. “Kjo zonjë duhet të dorëhiqej vetë, por ai po e mbron në çdo kusht. Po merr një kosto shumë të lartë,” shtoi analisti.
Kalaja paralajmëroi se përplasja me drejtësinë dhe aleatët ndërkombëtarë mund të ketë pasoja serioze për kryeministrin. “Amerikanët e kanë izoluar njëherë në ’97. Nëse vazhdon këtë luftë, rrezikon të përfundojë si Enver Hoxha,” deklaroi ai.
Duke folur për letrën e presidentit amerikan Donald Trump dhe Bordin e Paqes, Kalaja akuzoi Ramën për mashtrim publik. Sipas tij, nuk është ftuar personalisht Rama, por Shqipëria si shtet. “Kjo është lajm i mirë për Shqipërinë, por Rama po përpiqet ta përdorë për propagandë personale,” u shpreh ai.
Kalaja shtoi se Rama ka tentuar të krijojë imazh të rremë për marrëdhënie të shkëlqyera me administratën amerikane, ndërsa realiteti, sipas tij, është krejt ndryshe. “Ka bërë tentativa për foto dhe nuk është lejuar. Pastaj del e thotë që ka marrëdhënie të shkëlqyera me Trump. Kjo është mashtrim,” tha ai.
Në fund, analisti komentoi edhe protestën e paralajmëruar të opozitës më 24 janar, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive qytetare. Sipas Kalasë, opozita duhet të jetë më kreative, më rezistente dhe më e vendosur përballë pushtetit.
