Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas deklaratës së Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka përfunduar verifikimin për gjyqtaren Irena Gjoka dhe i ka përcjellë rezultatet në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Sipas Këlliçit, ky zhvillim u jep qytetarëve mundësinë të shohin qartë dallimin mes kritikave të mbështetura në fakte kundër paligjshmërisë dhe, nga ana tjetër, përpjekjeve për bllokimin dhe pengimin e drejtësisë.
Ai thekson se Partia Demokratike ka denoncuar prej kohësh faktin se Irena Gjoka ka fshehur një dënim dhe ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit, një shkelje e rëndë që sipas tij do të duhej ta përjashtonte nga ushtrimi i funksionit dhe marrja e vendimeve gjyqësore. Ky denoncim, shton Këlliçi, është konfirmuar tashmë zyrtarisht, edhe pse me vonesë.
Deputeti nënvizon se kjo situatë konfirmon edhe një herë se opozita dhe PD i kanë shërbyer interesit publik dhe drejtësisë, ndryshe nga ata që, sipas tij, kanë mbrojtur paligjshmërinë dhe i kanë shërbyer pushtetit të kryeministrit Edi Rama.
“Ndryshimi i madh mes kritikave me fakte dhe bllokimit të drejtësisë u bë sot i dukshëm për të gjithë. PD u konfirmua sërish se i shërbeu të vërtetës dhe interesit publik”, shprehet Këlliçi në reagimin e tij.
