Një situatë e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Urgjencën e re, ku për rreth 40 minuta ka munguar energjia elektrike, një ngjarje e pazakontë dhe tejet e rrezikshme për një strukturë spitalore.
Sipas gazetarit Osman Stafa, rreth orës 20:30 energjia elektrike është ndërprerë, duke lënë pa furnizim Reanimacionin dhe sallat kirurgjikale. Për rreth 40 minuta, këto ambiente jetike kanë qenë në errësirë, duke rrezikuar seriozisht jetën e pacientëve, veçanërisht ata në intubim apo nën ndërhyrje kirurgjikale.
Pas ndërprerjes së energjisë, stafi mjekësor është detyruar të transferojë pacientët në ambiente të tjera të spitalit që furnizoheshin me energji elektrike.
Gazetari sqaron se problemi ka ndodhur në godinën e re gjashtëkatëshe të Urgjencës, e cila ende nuk është dorëzuar zyrtarisht si objekt funksional. “6-katëshi i ri i Urgjencës është godina që nuk furnizohej me energji, pasi ende nuk është bërë dorëzimi i saj”, thekson ai.
Stafa shton se reagimi i bërë nga QSUT pas ngjarjes nuk përputhet me realitetin, duke e cilësuar atë si mashtrues. Sipas tij, ekzistojnë prova konkrete që vërtetojnë se energjia ka munguar për rreth 40 minuta.
Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për humbje jete si pasojë e kësaj situate, megjithatë ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe funksionimin e infrastrukturës spitalore.
