Mbledhja e Byrosë së Kuvendit është shoqëruar me debate dhe tensione mes mazhorancës dhe opozitës, pasi kërkesa e Partisë Demokratike që ajo të zhvillohej me dyer të hapura dhe në prani të mediave nuk u pranua.
Opozita argumentoi se çështjet në shqyrtim kanë interes të lartë publik dhe se transparenca është e domosdoshme, por shumica e Byrosë vendosi që mbledhja të vijonte pa praninë e mediave.
Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, e cilësoi vendimin të papranueshëm, duke theksuar se kërkesa e opozitës ishte legjitime. Ai deklaroi se po mbyllen institucionet dhe po kufizohet transparenca ndaj publikut.
“Janë përjashtuar 6 deputetë. Kërkesa jonë është plotësisht legjitime. Po bunkerizohet çdo institucion. Nuk mund të vazhdohet kështu. Niko Peleshi nuk do të duhej t’i shmangej kësaj mbledhjeje”, u shpreh Këlliçi gjatë diskutimeve.
Sipas opozitës, refuzimi i hapjes së mbledhjes për mediat përbën një precedent të rrezikshëm dhe dëmton parimet demokratike dhe llogaridhënien publike.
