Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë dhe intensive për mobilizim total të qytetarëve në prag të protestës së 24 janarit, të cilën e cilësoi si një kryengritje paqësore kundër regjimit.
Nga foltorja, Berisha u kërkoi demokratëve dhe qytetarëve që gjatë gjithë kësaj jave të mos ndalen, por të punojnë pa pushim për të ftuar çdo shqiptar në protestë, duke e cilësuar 24 janarin si “ditën e së vërtetës së madhe”.
“Ta bëjmë natën ditë këtë javë. Të trokasim në çdo votër, në çdo derë, në çdo zemër, në Tiranë dhe kudo. Shqipërisë nuk duhet t’i mungojë askush më 24 janar,” u shpreh Berisha.
Ai deklaroi se shqiptarët po presin këtë datë si momentin e përballjes përfundimtare me atë që e quan regjim i korruptuar dhe antikushtetues, duke theksuar se protesta nuk është thjesht politike, por një betejë për dinjitetin njerëzor.
“Sot shqiptarët presin revoltën, kryengritjen paqësore, përballjen dhëmb për dhëmb me këtë regjim. Mbarë bota po pret fjalën tonë, zërin tonë, guximin tonë,” tha Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, duke e quajtur “narko-diktator”, ndërsa anëtarët e qeverisë i cilësoi si “shushunja” që pasurohen me taksat dhe pasuritë publike të qytetarëve.
“Shqipëria nuk do të ketë kurrë Kushtetutë dhe ligj pa triumfin e qytetarëve. Vetëm përmes kryengritjes paqësore mund të rikthehet shteti i së drejtës,” theksoi ai.
Në përfundim, Berisha e mbylli fjalën me një thirrje simbolike për transformimin e Tiranës në ditën e protestës:
“Sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të shndërrohen në tmerrin e regjimit dhe në triumfin e lirisë. Rroftë Tirana! Rroftë Shqipëria!”
