“Vazhdon turpi në Parlament” – Shehaj shpërthen: Nëse pezullohet Balluku, pezullohet edhe Rama

Data

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar situatën në Kuvend si një turp politik dhe institucional që po zgjatet me vetëdije.

Duke folur për mediat jashtë Parlamentit, Shehaj theksoi se prania e zëvendëskryeministres Belinda Balluku në sallë, në një kohë kur SPAK ka kërkuar arrestin e saj, është një sfidë e hapur ndaj drejtësisë dhe qytetarëve.

Sipas tij, mazhoranca po përdor prej ditësh një letër të ardhur për kryeministrin Rama si alibi politike, duke e shitur si një lloj “mburoje” nga drejtësia. Shehaj ironizoi këtë qasje, duke thënë se e njëjta letër i ka shkuar edhe presidentit të Bjellorusisë, çka sipas tij tregon absurditetin e argumentit të qeverisë.

“E kanë kthyer në shpëtim nga drejtësia. Thonë: ‘Nuk do na kapin më, nuk do na fusin më në burg’. Ky është mashtrim i pastër”, u shpreh Shehaj.

Ai e vuri theksin te data 22 janar, kur Gjykata Kushtetuese pritet të marrë një vendim që, sipas tij, do të ndajë historikisht Shqipërinë në dy rrugë: barazi para ligjit ose vazhdim i pandëshkueshmërisë.

“Në 22 janar do të shihet nëse një pushtetar që kapet duke vjedhur shkon në burg apo jo. Kjo është prova e vërtetë e shtetit të së drejtës”, deklaroi ai.

Shehaj akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama se po përpiqet të ndikojë procesin nga frika se çdo vendim kundër Ballukut do të godasë edhe vetë atë.

“Nëse pezullohet Balluku, pezullohet edhe Rama. Atëherë 83 mandatet nuk do t’i hyjnë më në punë”, tha Shehaj, duke e cilësuar situatën si një përballje mes drejtësisë dhe mbijetesës politike të qeverisë.

Në fund, ai theksoi se shqiptarët janë lodhur nga pandëshkueshmëria dhe kërkojnë një gjë të vetme:

“Ose do vazhdojmë të jemi një vend i korruptuar ku hajdutët nuk ndëshkohen, ose do marrë fund kjo histori. Qytetarët i duan të korruptuarit në burg.”

Një deklaratë e fortë që shton edhe më shumë presionin politik në një moment kritik për qeverinë, drejtësinë dhe vetë balancën e pushtetit në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related