Si u arratis Altin Ndoci/ Mjeku kërkoi rikontroll, i burgosuri rrëzoi me grusht dy policët që e shoqëronin në tualet

Data

Zbardhet dinamika e plotë e arratisjes së Altin Ndocit, i cili u largua disa ditë më parë nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit gjatë një vizite mjekësore. Ndoci, i paraburgosur prej vitesh dhe i akuzuar për vrasje me pagesë, vijon të jetë ende në kërkim.

Sipas dosjes hetimore, strukturat e IEVP Durrës kishin planifikuar shoqërimin e Altin Ndocit dhe një paraburgosuri tjetër për vizitë mjekësore në spital, me kthim brenda së njëjtës ditë. Procedura ishte miratuar nga drejtuesit përkatës, ndërsa kryeinfermieri kishte komunikuar me spitalin për realizimin e vizitës.

Shoqërimi u krye me një mjet tip autoambulancë të burgjeve. Fillimisht, Ndoci u dërgua në pavijonin e Infektivit, ku gjatë transportit shfaqi ankesa për dhimbje. Pas mbërritjes në spital, atij iu hoqën prangat dhe u shoqërua në këmbë drejt dhomës së izolimit në katin e tretë, e pajisur me zgarë hekuri për të paraburgosurit. Në ruajtje mbetën dy punonjës policie.

Mjeku kardiolog rekomandoi mjekim dhe rikontroll pas dy orësh. Gjatë kësaj kohe, Ndoci është ankuar vazhdimisht për dhimbje dhe ka kërkuar disa herë të shoqërohej në tualet. Këto kërkesa janë pranuar nga efektivët.

Arratisja ndodhi pikërisht gjatë një prej shoqërimeve për në tualet. Sapo u hap zgara e hekurt, Altin Ndoci goditi me grusht një prej policëve në kraharor, duke e rrëzuar atë dhe kolegun tjetër në tokë. Më pas u largua me vrap nëpër korridoret e spitalit.

Dy punonjësit tentuan ndjekjen, por njëri prej tyre rrëshqiti në shkallë. Ndoci arriti të dalë nga dera kryesore e spitalit, ndërsa një prej efektivëve qëlloi një herë në tokë me armën e shërbimit për ta ndalur. Pavarësisht kësaj, i arratisuri u largua dhe sipas dëshmive është larguar me një automjet të zi.

Hetimet paraprake tregojnë se procedura për dërgimin e Ndocit në spital është kryer në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi. Prokuroria thekson se rekomandimi për vizitë mjekësore është bërë pa u kryer më parë vizitë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit, në shkelje të rregullores së burgjeve dhe ligjit për trajtimin e të paraburgosurve.

Hetimet për përgjegjësitë vijojnë, ndërsa Altin Ndoci mbetet ende në arrati.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related