Një sulm me armë zjarri ka ndodhur në një bashki në qytetin Chribska të Çekisë, duke lënë një person të vdekur dhe të paktën gjashtë të tjerë të plagosur, mes tyre kryetari i bashkisë dhe tre punonjës policie.
Sipas autoriteteve çeke, autori i sulmit ka hapur zjarr brenda ndërtesës së bashkisë dhe më pas i ka dhënë fund jetës. Policia bëri të ditur se situata është vënë nën kontroll dhe ndërtesa është siguruar plotësisht.
“Deri tani nuk ka asnjë indicie për motiv terrorist, ekstremist, politik apo fetar. Të gjitha të dhënat tregojnë për një konflikt të natyrës personale,” njoftoi policia.
Raportohet se të paktën një grua ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Në vendngjarje janë dërguar ekipe mjekësore dhe psikologë për të ofruar ndihmë për të plagosurit dhe personat e traumatizuar nga ngjarja.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e këtij sulmi të rëndë.
