Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë për arrestin shtëpiak, Berisha: Ai vendim ka pasoja edhe sot

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në SPAK për të zbatuar masën e detyrimit të paraqitjes. Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Berisha dha një deklaratë të fortë për mediat, ku u ndal te vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me arrestin e tij shtëpiak.

Berisha akuzoi Gjykatën Kushtetuese për vendimmarrje politike, duke e cilësuar atë si të ndikuar drejtpërdrejt nga Partia Socialiste. Sipas tij, çështja e tij u trajtua me vonesë të qëllimshme, ndryshe nga rastet që lidhen me qeveritarët aktualë.

“Gjykata Kushtetuese është një seksion i organizatës së Partisë Socialiste. Çështja ime u trajtua pas 8 muajsh, ndërkohë që çdo çështje që lidhet me qeveritarët shqyrtohet brenda 2–3 javësh. Në një vendim të koduar partiak, ajo shpalli jokushtetuese masën ndaj meje, por nuk e shfuqizoi”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se, edhe pse Gjykata pretendoi se masa nuk ishte më në fuqi, pasojat e saj vazhdojnë ende sot. Sipas tij, në çdo doktrinë ligjore, vendimi duhej të ishte shfuqizuar plotësisht.

“Vendimi ka pasoja edhe sot. Me pretendimin se nuk është më në fuqi, në fakt janë lënë në fuqi pasojat e tij. Në çdo standard ligjor, ai vendim duhej shfuqizuar. Mori një vendim në favor të ‘Lubisë’ dhe lubive të tjera që do të shkojnë aty”, deklaroi Berisha.

Në përfundim, ai shtoi se pikërisht pasojat e këtij vendimi janë arsyeja pse ai vijon të paraqitet pranë institucioneve të drejtësisë, duke e cilësuar procesin si të padrejtë dhe politikisht të motivuar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related