“Po i mbani demokratët me propagandë” – Ndrec Pjetri shpërthen ndaj Berishës: Prej 4 vitesh asnjë ambasador në PD

Data

Kritikat dhe tensionet brenda Partisë Demokratike janë thelluar edhe më tej gjatë takimit të Ervin Salianjit me demokratët në Lezhë. Ndrec Pjetri, më i votuari i listës së hapur të PD-së në Durrës, ka sulmuar drejtpërdrejt lidershipin e partisë, duke akuzuar për propagandë dhe mashtrim të demokratëve.

Në fjalën e tij, Pjetri deklaroi se prej katër vitesh në selinë e Partisë Demokratike nuk ka shkelur asnjë ambasador, fakt që sipas tij rrëzon pretendimet se ndërkombëtarët do të largojnë Edi Ramën nga pushteti. Ai e cilësoi këtë narrativë si një mashtrim të qëllimshëm për të mbajtur bazën demokrate “peng” me shpresa të rreme.

“Ka filluar propaganda sikur Ramën do ta heqin ndërkombëtarët, do ta marrin si Maduron. Në katër vite në PD nuk ka ardhur asnjë ambasador. Si do të kemi mbështetje ndërkombëtare kështu? Kjo është mashtrim për demokratët,” u shpreh Pjetri.

Ai theksoi se problemet e Partisë Demokratike janë të shumta dhe të thella, duke shtuar se vetëm pas nisjes së lëvizjes me Ervin Salianjin ka filluar një analizë reale e gjendjes brenda partisë. Duke iu referuar situatës në Durrës, Pjetri renditi tre problematika kryesore: bandat, trysnia e shtetit dhe humbja e mijëra votave krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, që sipas tij ka sjellë më pak mandate për PD-në.

Sipas Pjetrit, argumenti që i është dhënë demokratëve për këtë rënie ka qenë përçarja, por ai nënvizoi se përballë regjimit aktual nuk ekziston rrugë tjetër përveç përballjes së drejtpërdrejtë politike. “Kush flet për rrugë tjetër, i shërben regjimit,” përfundoi ai.

Deklaratat e forta të Ndrec Pjetrit shtojnë edhe më shumë përplasjet e brendshme në Partinë Demokratike, në një moment kur opozita përpiqet të gjejë unitet dhe strategji përballë qeverisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related