Një foshnjë vetëm 27 ditëshe ka humbur jetën në Gaza si pasojë e temperaturave të ulëta dhe kushteve ekstreme të jetesës. Vajza e mitur, Aisha Ayesh al-Agha, u dërgua me urgjencë në spital në Khan Younis, por mjekët konfirmuan se ajo ndërroi jetë nga hipotermia.
Sipas burimeve shëndetësore lokale, ky është rasti i tetë i një fëmije që ka vdekur nga i ftohti që nga nisja e dimrit në Rripin e Gazës. Autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet shumë i lartë, veçanërisht për foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
Kriza humanitare është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të bombardimeve, shkatërrimit të banesave dhe mungesës së strehimit. Mijëra familje jetojnë në tenda ose ndërtesa të dëmtuara, pa ngrohje, energji elektrike apo veshje të përshtatshme për dimrin.
Stuhitë, temperaturat e ulëta dhe kufizimet në hyrjen e ndihmave humanitare kanë krijuar kushte të rënda mbijetese, ndërsa shërbimet shëndetësore paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet nëse situata nuk përmirësohet urgjentisht.
