“Mbollën drogë, frikë dhe varfëri” – Lapaj shpërthen para Kryeministrisë: Këtë qeveri duhet ta presim nga rrënjët

Data

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” zhvilloi mbrëmjen e sotme një tjetër protestë para Kryeministrisë, ku dhjetëra qytetarë iu bashkuan thirrjeve kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i lëvizjes, Adriatik Lapaj, akuzoi ashpër qeverinë se ka kthyer drogën, krimin dhe frikën në sistem qeverisjeje, duke e çuar Shqipërinë drejt shkatërrimit ekonomik dhe shoqëror.

Lapaj deklaroi se kjo qeveri nuk është në shërbim të qytetarëve, por në luftë të hapur me ta, duke vendosur shtetin në funksion të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ky është një shtet turpi që e çoi Shqipërinë në këtë gjendje. Nuk ka komb në botë ku droga dhe krimi i organizuar kthehen në sistem, ku varfëria dhe korrupsioni mbizotërojnë dhe ku shteti vihet në shërbim të bandave,” u shpreh ai.

Sipas Lapajt, keqqeverisja dhe autokracia kanë zëvendësuar demokracinë, ndërsa qytetarët po përballen çdo ditë me frikë, varfëri dhe mungesë shprese për të ardhmen. Ai theksoi se pasojat e këtij modeli qeverisës janë të rënda dhe do të mbahen mend si një nga periudhat më të errëta për vendin.

“Do të kujtohen si qeveria që mbolli drogë dhe frikë. Droga, qoftë e bardhë apo e kuqe, sjell vetëm vuajtje për kombin. Ata që e vendosin shtetin në funksion të drogës meritojnë një përballje të fortë dhe një aleancë të gjerë kundër tyre,” deklaroi Lapaj.

Në fund të fjalës së tij, ai u bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen dhe të vazhdojnë rezistencën qytetare, duke theksuar se kjo qeveri nuk reformohet, por duhet rrëzuar nga themelet.

“Këtë qeveri duhet ta presim nga rrënjët. Shqipëria meriton më shumë,” përfundoi Lapaj, mes thirrjeve dhe pankartave kundër qeverisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related