Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, ka nisur sot protestën e radhës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë pas skandaleve dhe aferave korruptive që, sipas tyre, janë tashmë nën hetim nga SPAK. Në fokus të protestës janë veçanërisht dosjet e Belinda Ballukut dhe AKSHI-t.
Pas një qëndrese gati njëmujore dhe disa protestave të mëparshme, mbështetësit e lëvizjes u mblodhën sërish mbrëmjen e sotme (17 janar), duke mbajtur pankarta ironizuese dhe duke brohoritur thirrje kundër qeverisë.
Qindra qytetarë u panë në bulevard me flamuj dhe parulla, ndërsa thirrjet kryesore ishin “Edi Rama frikacak” dhe “Dorëheqje”. Protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e qeverisë aktuale.
Më herët, Lapaj ka pasur përplasje me forcat e Policisë gjatë protestave të ngjashme, ku sipas tij janë përdorur masa force dhe janë sekuestruar mjete mbështetëse si karrige, batanije, çadra dhe ngrohëse. Në një nga këto episode, Lapaj mbeti i dëmtuar dhe u shtrua në Spitalin e Traumës.
Ashtu si një pjesë e opozitës, “Shqipëria Bëhet” kërkon:
- dorëheqjen e qeverisë,
- krijimin e një qeverie teknike,
- dhe zgjedhje të parakohshme.
