Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, duke e cilësuar projektin e parkut teknologjik si një aferë të pastër korrupsioni dhe përvetësimi nga grupe kriminale.
Sipas Berishës, territori ku ishte parashikuar ndërtimi i parkut teknologjik nuk ekziston më si projekt zhvillimi, por është shndërruar në atë që ai e quajti “livadhet e Troplinit”, duke e lidhur zonën me një klan të fuqishëm të trafikut të kokainës në Europë.
Ai deklaroi se një kompani e madhe amerikane kishte zgjedhur Shqipërinë për të ndërtuar parkun teknologjik, pasi ishte larguar nga Ukraina, duke sjellë ide dhe modele të avancuara zhvillimi. Sipas tij, qeveria e ka përzënë këtë kompani, ka marrë projektin dhe e ka përdorur për interesa mafioze.
Berisha pretendon se kompanitë përfituese janë fiktive dhe kontrollohen nga familjarë të kryeministrit, konkretisht nga kunati i bashkëshortes së tij, ndërsa theksoi se për menaxhimin formal të tyre përdoret një prestanome me emrin Ermal Beqiri. Ai tha se ky person, i panjohur më parë për publikun, ka krijuar struktura që u japin kompanive akses të privilegjuar në projekte dhe fonde publike, jashtë çdo procedure ligjore dhe tenderimi.
Në vijim të fjalës së tij, Berisha ngriti shqetësimin për përmasat e korrupsionit në 12 vitet e fundit, duke përmendur shifra shumë të larta të buxhetit shtetëror dhe pasurive publike që, sipas tij, janë zhdukur përmes vjedhjes sistematike. Ai tha se korrupsioni është kthyer në sistem, pasi – sipas tij – “kur vjedh kryeministri, vjedhja bëhet normë”.
Berisha theksoi se Partia Demokratike do të vazhdojë auditimin dhe denoncimin e këtyre aferave, duke e cilësuar transparencën dhe përgjegjësinë si jetike për nxjerrjen e së vërtetës dhe ndëshkimin e korrupsionit të lartë.
