Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj takimeve intensive që Ervin Salianji po zhvillon me demokratët në bazë, duke theksuar se ai është vetëpërjashtuar nga Partia Demokratike dhe se aktiviteti i tij nuk ka asnjë lidhje me PD-në.
“Salianji është vetëpërjashtuar! Ndarja me këta njerëz nuk na dobëson, por na forcon”, u shpreh Berisha gjatë një bashkëbisedimi online me ndjekësit e tij.
Berisha deklaroi se Salianji është larguar vetë nga Kryesia e PD-së dhe se veprimet e tij janë interesa private, të cilat, sipas tij, bien ndesh me statutin e partisë. Ai theksoi se neni 24 i statutit parashikon qartë rastet e vetëpërjashtimit në shkelje flagrante të rregullave të partisë.
Në përgjigje të një pyetjeje nga një ndjekës lidhur me ftesat e Salianjit për takime dhe “foltore”, Berisha tha:
“Salianjit duhet t’i përgjigjeni si një njeriu që ka përjashtuar veten nga PD. Veprimtaria e tij është private dhe nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike.”
Ai shtoi se PD nuk mban përgjegjësi për veprimet e individëve që, sipas tij, mbrojnë interesa personale apo të paligjshme dhe tentojnë të shfrytëzojnë partinë për përfitime personale.
“Opozitarizmi është i vështirë. Të mos mendojë askush se ndarja me këta njerëz e dëmton PD-në. Përkundrazi, e forcon,” u shpreh Berisha, duke i cilësuar këta individë si “pseudoopozitarë”.
Në përfundim, Berisha theksoi se Partia Demokratike do të mbetet një forcë politike e hapur, por e vendosur për të mos toleruar shkelje të ligjit apo përdorimin e partisë për interesa personale.
“Ne nuk jemi avokatë të askujt. Jemi parti e shtetit ligjor dhe i qëndrojmë asaj,” përfundoi Berisha.
