Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka porositur hakerimin e sistemeve të SPAK-ut, me qëllim vendosjen e tyre nën kontroll të plotë.
Sipas Berishës, zhvillimet e fundit në vend “faktojnë degradimin total të narko-shtetit”, duke pretenduar se Rama ka ndërhyrë drejtpërdrejt për të kontrolluar drejtësinë. Ai tha se hakerimi i kompjuterëve të SPAK-ut është bërë për të mbledhur informacion dhe për të ushtruar presion mbi institucionet e drejtësisë.
Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin se po përgatit miratimin e ligjeve me procedura të përshpejtuara, të cilat sipas tij synojnë të bllokojnë hetimet penale ndaj Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij. “De facto, ai ka pushtuar Parlamentin dhe po e përdor atë si instrument për një grusht shteti ndaj drejtësisë,” u shpreh kreu i PD-së.
Në deklaratën e tij, Berisha tha se po tentohet kufizimi i hapësirave minimale të opozitës në Parlament, duke penguar fjalën për procedurë, interpelancat dhe komisionet hetimore, në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloren parlamentare.
Ai iu bëri thirrje qytetarëve të reagojnë, duke theksuar se “fjala tani është vetëm e qytetarëve”, të cilët, sipas tij, duhet të ngrihen për të shpëtuar vendin nga ajo që e cilësoi si regjim i kapur nga krimi i organizuar.
Në përfundim, Berisha deklaroi se opozita është e vendosur në një “betejë përfundimtare”, që synon largimin e qeverisë aktuale dhe vendosjen e një qeverie teknike, me objektiva reformën zgjedhore, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe rikthimin e funksionimit normal të drejtësisë.
