Alarm shkencor për Santorinin: çfarë ndodh nëse shpërthen vullkani Kolumbo dhe a rrezikohet nga cunami

Data

Një studim shkencor ka rikthyer vëmendjen te rreziku i mundshëm i një cunami në zonën e Santorinit, në rast se aktivizohet vullkani nënujor Kolumbo, i cili ndodhet rreth 6 kilometra në verilindje të ishullit. Analiza është realizuar nga profesori i gjeofizikës Kostas Papazachos, i cili ka studiuar skenarët më ekstremë përmes simulimeve të valëve detare.

Sipas studimit, zonat brenda kalderës së Santorinit dhe portet kryesore konsiderohen relativisht të sigurta, pasi valët e mundshme nuk do të kalonin një metër. Ndryshe paraqitet situata për brigjet lindore dhe juglindore të ishullit, si Monolithos, Kamari dhe Perissa, të cilat mund të goditen nga valë deri në 5–10 metra në rast të një shembjeje totale të kalderës së Kolumbos.

Një nga aspektet më kritike është koha shumë e shkurtër e reagimit. Vala e cunamit mund të mbërrijë brigjet më të afërta brenda 2–3 minutash, ndërsa zonat më të largëta për rreth 10 minuta, duke e bërë thelbësore njohjen e rrugëve të evakuimit dhe zonave të sigurta.

Studiuesit theksojnë se këto skenarë nuk nënkuptojnë një rrezik të menjëhershëm dhe nuk ka shenja për një shpërthim të afërt. Qëllimi i studimit është përgatitja dhe përmirësimi i planeve të emergjencës, në mënyrë që banorët dhe vizitorët të jenë të informuar dhe të mbrojtur në rast të një ngjarjeje ekstreme, por shumë të rrallë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related