Kokainë e fshehur në lëkurë kafshësh nga Amerika Latine: SPAK mbyll hetimet për rrjetin e trafikut ndërkombëtar

Data

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për një nga skemat më të sofistikuara të trafikut të kokainës drejt Shqipërisë, ku lënda narkotike sillhej nga Amerika Latine e kamufluar në lëkurë kafshësh. Hetimet, të nisura pas arrestimeve të kryera në nëntor 2024, kanë çuar në mbylljen e procedurës për dhjetë anëtarë të dyshuar të një grupi kriminal të strukturuar.

Sipas dosjes hetimore, grupi përdorte një kompani tregtare si mbulesë ligjore për importimin e sasive të mëdha të lëkurës së gjedhëve, brenda së cilës fshihej kokaina. Ngarkesat, me peshë deri në 24 ton secila, niseshin nga Amerika Latine dhe mbërrinin në Portin e Durrësit, ku më pas transportoheshin drejt magazinave të përshtatura për përpunim dhe nxjerrjen e drogës.

Hetimi lidhet ngushtë edhe me zbulimin e një sasie prej 485 kilogramësh kokainë në Frakull të Fierit, e fshehur në plehra kimikë, çështje nga e cila SPAK ndau disa fraksione hetimore që çuan në identifikimin e këtij rrjeti paralel trafiku. Grupi rezulton se dispononte një laborator për përpunimin e kokainës në Qerekë të Krujës, si dhe ambiente ndihmëse në Tiranë dhe Durrës.

Një element kyç i dosjes është përfshirja e shtetasve të huaj, mes tyre edhe një kolumbian i kërkuar në vendlindjen e tij si drejtues i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës. Ai dyshohet se ishte eksperti i grupit për ndarjen e kokainës nga lëkura e kafshëve dhe kishte qëndruar në Shqipëri prej rreth një viti para arrestimit.

Nga hetimet rezulton gjithashtu se grupi kishte kapacitete financiare dhe logjistike për të furnizuar edhe rrjete të tjera kriminale, ndërsa autoritetet dyshojnë se një pjesë e lëndës narkotike ka dalë nga laboratorët përpara ndërhyrjes së policisë, për të mos dekonspiruar operacionin.

Me mbylljen e hetimeve, SPAK pritet të dërgojë çështjen për gjykim, duke e konsideruar këtë dosje si një nga rastet më të rënda të trafikut ndërkombëtar të drogës të zbuluara vitet e fundit në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related