Gazetari Ferdinand Dervishi ka reaguar ashpër pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit, duke e cilësuar ngjarjen si një dështim të rëndë institucional dhe një operacion të mirëorganizuar të krimit të organizuar. Sipas tij, përgjegjësia kryesore bie mbi strukturat shtetërore që kishin për detyrë ruajtjen dhe sigurinë e të paraburgosurit.
Dervishi theksoi se arratisja nuk ishte spontane, por e planifikuar në detaje. Ai ngriti pikëpyetje serioze mbi arsyet e dërgimit të Ndocit në spital, duke vënë në dyshim pretendimet për gjendje shëndetësore, pasi gjatë arratisjes ai u pa duke vrapuar pa asnjë shenjë dobësie fizike. Sipas gazetarit, sistemi i sigurisë dështoi në çdo hap.
Një nga momentet kyçe të arratisjes, sipas Dervishit, ishte fakti që Ndoci u shoqërua pa pranga dhe u lejua të shkonte në ambientet e banjës i shoqëruar vetëm nga një polic dhe një police. Ai theksoi se përballja fizike ishte e pabarabartë dhe se kjo tregonte mungesë të plotë protokolli për persona me rrezikshmëri të lartë.
Gazetari ngriti dyshime të forta edhe për fazën pas arratisjes, duke theksuar se fakti që Ndoci u largua nga qendra e Durrësit me një automjet të identifikuar tregon për një rrjet të mirëorganizuar ndihme. Sipas tij, kjo ngjarje nuk mund të shpjegohet pa përfshirje ose tolerim serioz nga struktura shtetërore.
Dervishi e përshkroi Altin Ndocin si një ekzekutor me pagesë të lidhur me grupin e Çopjave, të cilët, sipas tij, kanë ndërtuar pasuri të mëdha nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Ai paralajmëroi se një arratisje e tillë kërkon mbështetje financiare të fuqishme dhe ngriti shqetësimin se largimi i Ndocit mund të jetë paralajmërim për ngjarje të tjera kriminale. “Pyetja që mbetet është: pse u lirua dhe kush mund të jetë shënjestra e radhës?”, përfundoi ai.
