Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor avokatin Besart Logu, i akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, Logu ka marrë 8 mijë euro nga klienti i tij, duke pretenduar se do të ndikonte në procesin gjyqësor në favor të tij. Gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar.
Trupi gjykues vendosi dënimin me 2 vjet burg, i cili u ul me një të tretën në 1 vit e 4 muaj, ndërsa ekzekutimi i dënimit u pezullua, duke e vendosur të pandehurin në provë për 2 vjet e 8 muaj. Gjatë kësaj periudhe, ai duhet të mos kryejë vepra të tjera penale dhe të qëndrojë nën mbikëqyrjen e shërbimit të provës.
Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës për të ushtruar profesionin e avokatit për 9 muaj, si dhe ngarkimin e Logut me të gjitha shpenzimet procedurale.
Vendimi u mbështet në prova materiale, përfshirë përgjime audio dhe video, të realizuara gjatë muajit dhjetor 2024, ku dokumentohen komunikimet mes të pandehurit dhe agjentëve të koduar.
