Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 30-vjeçarit shqiptar Gjergj Pergegaj në Itali, një ngjarje që tronditi komunitetin shqiptar.
Krimi ndodhi rreth mesnatës së 20-21 marsit në zonën e Olmos, pranë Via Romana. Sipas mediave italiane, viktima sapo kishte përfunduar turnin e punës dhe ishte ndalur për të takuar ish-të dashurën e tij.
Në atë moment mbërriti partneri aktual i saj, një 35-vjeçar shqiptar, i cili pasi i pa së bashku, reagoi me dhunë dhe e qëlloi me armë zjarri. Viktima u godit me katër plumba dhe humbi jetën në vend.
Pas ngjarjes, autori u largua, por rreth dy orë më vonë telefonoi vetë në numrin e emergjencës 112 duke deklaruar se donte të dorëzohej. Ai u gjet nga policia pranë zonës së Rigutinos, duke pritur në makinë me armën e krimit, të cilën e posedonte në mënyrë të paligjshme.
Autori u arrestua dhe është dërguar në burg, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për vrasje me dashje. Hetimet po drejtohen nga prokurorja Elisabetta Greco, ndërsa autoritetet italiane po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Trupi i viktimës është transportuar në morgun e spitalit “San Donato” në Arezzo, ku pritet të kryhet autopsia.
