Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar sot pjesë të reja nga dosja hetimore që lidhet me hakerimin e sistemeve të Prokurorisë së Posaçme, duke e cilësuar çështjen si një skandal të rëndë shtetëror.
Në materialet e bëra publike nga Berisha, shfaqen komunikime mes të pandehurve Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni, të cilët sipas SPAK akuzohen për hyrje të paautorizuar në sistemet elektronike të institucionit dhe për shpërndarje të materialeve hetimore.
Sipas dosjes, më datë 12 shkurt 2025, rreth orës 21:17, Arnold Rrokaj i dërgon Zambak Gjonit një foto që duket si faqe interneti përmes së cilës mund të aksesohen sistemet e SPAK. Menjëherë pas kësaj, ai i shkruan:
“Ah mos e hapsha dot”.
Pak minuta më vonë, komunikimi merr një ton edhe më të rëndë, ku Rrokaj shprehet:
“Se do i shkruaj Ramës… hajt t’u q*m ropt”.
Sipas hetuesve, kjo frazë dhe konteksti i bisedës krijojnë bindjen e arsyeshme se veprimet e të hetuarit lidhen drejtpërdrejt me ndërhyrje të paligjshme në sistemet e SPAK, me qëllim dëmtimin e tyre dhe shpërndarjen e dokumenteve sekrete te persona të tretë.
Në vijim të komunikimeve, më datë 21 shkurt, Zambak Gjoni kërkon informacion lidhur me një arrestim të mundshëm tjetër, ndërsa Rrokaj i përgjigjet:
“Ja ta shikoj njëherë. Po ç’rëndësi ka kush prokuror e ka. Nga këta që kam unë, s’e ka njeri.”
Berisha, duke komentuar këto materiale, ka deklaruar se dosja tregon për një ndërhyrje kriminale në zemër të drejtësisë dhe se sipas tij, skandali është më i thellë nga sa është bërë publik deri tani. Ai ka akuzuar qeverinë për mbulim të çështjes dhe ka kërkuar transparencë të plotë për rolin e personave të përfshirë dhe për pasojat reale të këtij hakerimi në hetimet e SPAK.
