Qendra e Studimit të Arteve vendos standarde të reja: 2025 vit konsolidimi, 2026 me objektiva ambicioze kombëtare dhe ndërkombëtare

Data

Qendra e Studimit të Arteve (QSA) ka përmbyllur vitin 2025 si një nga periudhat më të rëndësishme të konsolidimit institucional dhe shkencor, duke hedhur njëkohësisht bazat për një vit 2026 edhe më ambicioz në studimin, dokumentimin dhe ndërkombëtarizimin e artit shqiptar.

Në analizën vjetore të paraqitur nga drejtori i QSA-së, akademik Stefan Çapaliku, u theksua se viti 2025 shënoi një intensifikim të veprimtarisë kërkimore, botuese, arkivore dhe institucionale. Projekte kyçe si Vjetari Artistik Shqiptar (VASH), nisja e kolanës së botimeve “Ars Albanica”, si dhe zgjerimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare, u cilësuan si shtylla themelore të punës së qendrës.

Sipas Akademisë së Shkencave, organizimi i konferencave ndërkombëtare, cikleve Lectio Magistralis dhe aktiviteteve publike të studiuesve ka forcuar rolin e QSA-së si një hapësirë reference për debatin shkencor mbi artin dhe kulturën shqiptare. Në nivel individual, studiuesit kanë vijuar me monografi, artikuj shkencorë, kapituj librash dhe kumtesa, duke thelluar analizën e trashëgimisë artistike shqiptare, veçanërisht për periudhën socialiste, tranzicionin postkomunist dhe zhvillimet bashkëkohore.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe punës arkivore dhe digjitalizimit. Gjatë vitit 2025 janë shtuar mbi 211 mijë njësi të reja në fondet e Qendrës së Dokumentacionit Artistik, duke e çuar totalin në mbi 224 mijë materiale (skanime, fotografi, audio, video dhe dokumente). Paralelisht është themeluar Biblioteka e QSA-së me 2269 botime, si dhe janë krijuar Dosjet e Artistëve, një hap i rëndësishëm për ruajtjen dhe studimin e trashëgimisë artistike kombëtare.

Për vitin 2026, QSA synon të shndërrohet në një pikë referimi mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare për studimin e arteve shqiptare, duke ndërtuar rrjete të qëndrueshme bashkëpunimi me studiues, institucione dhe publikun, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Objektivi kryesor mbetet forcimi i rolit të qendrës në dokumentimin, arkivimin dhe analizën shkencore të artit shqiptar, duke e bërë atë një faktor kyç në jetën kulturore dhe akademike të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related