Ja kush janë drejtorët e policisë në qendër dhe në qarqe që lënë detyrën, spastrim në të gjitha nivelet, përgjimet e…

Data

Ja kush janë drejtorët e policisë në qendër dhe në qarqe që lënë detyrën, spastrim në të gjitha nivelet, përgjimet e “SKY ECC” dhe “ENCRO CHAT” nxorën zbuluar lidhjet e efektivëve me krimin

Rigels Seliman

Ditët në vijim duket se do të jenë të “nxehta”, jo vetëm për politikën, por edhe për Policinë e Shtetit, sa i takon kupolës së saj dhe zinxhirit komandues. Këtë javë qeveria shqiptare miratoi Vendimin për Rregullat dhe Procedurat e Përzgjedhjes së drejtuesve të Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, e konfirmoi marrjen e vendimit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, duke e quajtur “një hap thelbësor, që vjen në zbatim të ligjit të ri “Për Policinë e Shtetit”. Pas këtij vendimi mësohet se jo vetëm 12 drejtorët e policive në qarqe, por edhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm në Policinë e Shtetit, drejtorët e Departamenteve dhe Shefat e Komisariateve, do t’iu duhet të lënë detyrën, ndërkohë që drejtuesit e rinj do i në nënshtrohen garës testuese dhe verifikimit me konkurs, po në të njëjtin proces siç dhe u zgjodh kryepolici Ilir Proda, që zëvendësoi të dorëhequrin Muhamet Rrumbullaku.

Mes emrave që largohen nga postet janë drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë: Drejtues i Parë Tonin Vocaj, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier: Drejtues i Parë Lorenc Panganika,

Pse tani?

Mirëpo ky proces spastrimi në radhët e kupolës së Policisë së Shtetit, zinxhirit komandues, por edhe në nivele të tjera në qendër e qarqe, vjen pas vendimit të qeverisë, por edhe pas përgjimeve të “SKY ECC” dhe “ENCRO CHAT”, të cilat kanë zbuluar lidhjet alarmante të efektivëve me krimin e organizuar. Spastrimi që pritet të ndodhë në të gjitha nivelet e policisë nënkupton një ristrukturim të thellë dhe të nevojshëm për të rikthyer besimin në institucion. Ndryshimet premtojnë një përgjegjësi më të madhe dhe transparencë, por gjithashtu pyetjet janë të shumta: A do të dalin në sipërfaqe më shumë lidhje të errëta? Cilat do të jenë pasojat për ata që nuk do të arrijnë të kalojnë këtë proces? Një erë e re frymëmarrjeje duket se po mbërrin në radhët e policisë, por e ardhmja mbetet e paqartë për ata që janë të lidhur ngushtë me krimin. Intriga është e lartë dhe asnjë njeri në pushtet nuk mund të ndjehet i sigurt në këtë terren të rrezikshëm. Megjithatë se si do të ndikojë kjo reformë brenda strukturës së Policisë së Shtetit dhe në luftën kundër krimit të organizuar, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë.

Skema

Sidoqoftë sikundër e theksuam më sipër, është koha që drejtësia e re dhe ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha të sprovohet pikërisht me një nga organizatat kryesore për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sikundër është Policia e Shtetit. Indicjet tashmë janë dhe efektivë apo drejtues të lartë policie lidhur me grupet kriminale kanë nisur dalëngadalë të dekonspirohen, ndërkohë që guri i fortë në dorën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) duket se do të jenë përgjimet dhe zbardhjet e aplikacionit “SKY ECC” dhe “ENCRO CHAT”, nga viti 2019 deri në vitin 2022. Në fakt pas rastit të ish-oficerit të Forcave Operacionale të Policisë, Jeton Lami, apo atij të shefit të Njësisë Operacionale Oltion Bistri dhe ish-drejtorit të Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri, e disa të tjerëve, prej disa ditësh qarkullojnë në media detaje nga përgjimet e “SKY ECC” dhe operacionit “Metamorfoza”, ku përveç anëtarëve të grupeve kriminale, shihet se si drejtues dhe ish-drejtues të Policisë së Shtetit bashkëpunojnë me ta. Të dhënat e deritanishme tregojnë se ekzistojnë përgjime, të cilat tregojnë qartë korrupsionin e kupolës së Policisë së Shtetit dhe faktin se si drejtues të kësaj strukture dekonspirojnë operacione për kapjen e eksponentëve të krimit.

Dhe ky është me siguri momenti kur do të shohim që nuk goditet thjesht dhe vetëm ai polici që merr 1 mijë lek ryshfet, por kupola drejtuese që dyshohet se marrin mijëra euro në fund të muajit nga bota e krimit në mënyrë që ata të mos kenë shqetësime me ligjin. Janë ata drejtues që i kanë emrat në listëpagesën e grupeve kriminale, që mbi apo nën zë janë akuzuar dhe herë të tjera për lidhje me bandat, që kanë kapur majat e piramidës drejtuese brenda policisë për të abuzuar me pushtetin dhe forcën që u jep ligji me qëllimin për t’u shërbyer qytetarëve shqiptarë. E në fakt kush mundet t’i besojë një polici që dekonspiron operacionet dhe tregon denoncuesit? Sa herë Oltion Bistri dyshohet se i kishte shpëtuar kriminelët nga drejtësia dhe sa të tjerë si ai ka në radhët e Policisë? E tashmë pas shumë vitesh, për herë të parë pritet që drejtësia të bjerë mbi vetë ushtruesit e ligjit, dhe pikërisht mbi kupolën e Policisë së Shtetit.

Modeli

Në momentin që këta bashkëpunëtorë të krimit do të ekspozohen, natyrisht që do të shkarkohen dhe do të zëvendësohen në detyrat që mbajnë. Sa janë ata dhe si do të zëvendësohen? Mënyra e zëvendësimit të tyre është një lloj indikatori se sa serioze është goditja kundër korrupsionit në radhët e Policisë. Si do të veprojë qeveria për të bërë zëvendësimin e një numri të lartë drejtuesish në polici? Në fakt do të ishte e vështirë, por jo e pa mundur. Një shembull që mund ndjekë edhe qeveria jonë është modeli Gjeorgjian. Ky shtet arriti të shkarkojë të gjithë kupolën drejtuese, përfshirë edhe efektivë apo punonjës të tjerë të policisë dhe i zëvendësoi ata brenda 24 orëve. Gjeorgjia ishte një nga vendet me korrupsionin më të lartë në radhët e policisë. Për këtë arsye në vitin 2003 nisi rrugëtimin një reformë që do i jepte fund këtij fenomeni. Në korrik të vitit 2004, qeveria gjeorgjiane shfuqizoi të gjithë Policinë e Shtetit, duke shkarkuar 30 mijë efektivë policie dhe drejtues të saj. 15 mijë u shkarkuan në një ditë dhe brenda 24 orëve u zëvendësuan me efektivë të rinj të pa korruptuar. Nëpërmjet kësaj reforme, Gjeorgjia njohu rritje të konsiderueshme në luftën kundër korrupsionit. Në vitin 2015 u rendit në vendin e 48 nga 168 shtete në total në indeksin për luftën kundër korrupsionit. Një arritje e madhe për një shtet, i cili ishte i kapur në çdo hallkë nga korrupsioni. Me këtë reformë, jo vetëm që u pastrua policia nga punonjësit që i shërbenin krimit, por qeveria i tregoi popullit se është e aftë të shkatërrojë dhe të ringrejë një nga strukturat kryesore për funksionim e shtetit.

Disa nga emrat që drejtojnë kupolën e Policisë së Shtetit

1. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë: Drejtues i Parë Tonin Vocaj

2. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier: Drejtues i Parë Lorenc Panganika

3. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan: Drejtues Ilir Proda (Është emëruara Drejtor i Policisë së Shtetit)

4. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat: Drejtues i Parë Kastriot Skënderaj

5. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër: Drejtues Dhimitraq Ziu

6. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër: Drejtues Dhimitraq Ziu

7. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë: Drejtues Ermal Muçaj

8. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër: Drejtues i Parë Adian Çipa

9. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë: Drejtues i Parë Gjovalin Loka

10. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës: Drejtues i Parë Skënder Hita

11. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër: Drejtues i Parë Edmond Sulaj

12. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë: Drejtues Alfred Elezi

13. Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që prej muajit dhjetor 2022.

14. Pëllumb Seferi, Drejtor i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

15. Zenel Hyka, Drejtor i Departamentit për Shërbimet Mbështetëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit.

16. Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

17. Drejtues i Lartë Saimir Boshnjaku, Drejtori Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër: Drejtues i Parë Adian Çipa, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë: Drejtues i Parë Gjovalin Loka, etj. Po ashtu, sipas vendimit të qeverisë largohet nga detyra, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtues i Lartë Sokol Bizhga; Drejtor i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Pëllumb Seferi; Drejtor i Departamentit për Shërbimet Mbështetëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit, Zenel Hyka, apo Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, etj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related