“I paraburgosuri duhej shoqëruar me masa elitare sigurie” – Klodiana Lala zbërthen skemën që solli arratisjen e Altin Ndocit

Data

Gazetarja Klodiana Lala ka hedhur dritë mbi dështimet serioze të sigurisë që çuan në arratisjen e Altin Ndocit nga spitali rajonal i Durrësit, duke theksuar se rasti është pasojë e shkeljeve të rënda procedurale dhe mungesës së protokolleve të duhura për të paraburgosurit me rrezikshmëri të lartë.

Gjatë një analize televizive, Lala u shpreh se persona të tillë nuk duhet në asnjë rrethanë të mbahen apo të shoqërohen me masa minimale sigurie, pasi përbëjnë rrezik real për arratisje.

“Një i paraburgosur me rrezikshmëri të lartë nuk mund të shoqërohet thjesht me një furgon dhe disa punonjës të zakonshëm të policisë së burgjeve. Protokolli parashikon shoqërim nga forca të specializuara, me masa të shtuara sigurie dhe kontroll të vazhdueshëm”, u shpreh ajo.

Sipas Lalës, në rastin konkret, shoqërimi është kryer në mënyrë të papërshtatshme. Në lëvizje ndodheshin dy të paraburgosur dhe gjashtë punonjës, ndërkohë që procedurat kërkojnë angazhim të forcave elitare të burgjeve, si dhe koordinim të plotë me Policinë e Shtetit.

Gazetarja ngriti pikëpyetje serioze edhe mbi zinxhirin e përgjegjësisë institucionale, duke theksuar se autoritetet përkatëse nuk janë njoftuar sipas rregullave për lëvizjen e të paraburgosurit drejt spitalit.

Ajo vuri në dukje se Spitali i Durrësit disponon pavijone të posaçme për të burgosurit dhe, në kushte normale sigurie, aty duhet të ketë prani të vazhdueshme policore për të parandaluar ngjarje të tilla.

“Ligji e konsideron spitalin institucion me risk të lartë kur ka të paraburgosur. Duhet patrullim i përhershëm, planifikim i itinerarit dhe masa shtesë sigurie. Në këtë rast, asgjë nga këto nuk është respektuar”, theksoi Lala.

Sipas saj, arratisja e Altin Ndocit nuk është një incident i rastësishëm, por pasojë e një sistemi të dështuar sigurie, që kërkon hetim të thellë dhe përgjegjësi konkrete në të gjitha nivelet.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related