Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se ka bllokuar qëllimisht procedurën kushtetuese për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën, sipas tij, organet e drejtësisë kanë kërkuar masa penale.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha deklaroi se vendi po përjeton një situatë të paprecedentë në 35 vite pluralizëm, duke e cilësuar sjelljen e kryeministrit si një “grusht shteti në zhvillim”.
Sipas tij, Rama ka penguar funksionimin normal të Kushtetutës duke mos lejuar vijimin e procedurave ligjore për deputetë dhe ministra që akuzohen për korrupsion, vjedhje dhe shpërdorim detyre.
“Ky është një akt antikushtetues me pasoja dramatike për shqiptarët. Për herë të parë në historinë e këtij vendi, një kryeministër bllokon drejtësinë për të mbrojtur njerëzit e tij”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se kjo sjellje përbën një ekzekutim të drejtpërdrejtë të pushtetit të drejtësisë dhe një përqendrim të rrezikshëm të pushtetit në duart e një personi të vetëm.
Sipas Berishës, pengimi i drejtësisë nuk është më një rast i izoluar, por një model qeverisjeje që synon të garantojë pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë dhe të mbajë të paprekshëm korrupsionin në nivelet më të larta të shtetit.
