Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër qeverinë gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, duke e akuzuar për papërgjegjshmëri totale përballë përmbytjeve që kanë goditur vendin.
Berisha tha se viti i ri ka nisur me pritshmëri të mëdha nga qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë për zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale, por sipas tij, Shqipëria po drejtohet nga një qeveri e zhytur në korrupsion dhe pa ndjeshmëri ndaj qytetarëve.
Ai u ndal veçanërisht te përmbytjet masive që përfshinë zona nga veriu në jug të vendit, duke theksuar se qindra familje u lanë në mëshirë të fatit, ndërsa drejtuesit e shtetit vijonin aktivitetet dhe udhëtimet festive.
Sipas Berishës, përmbytjet nuk janë thjesht pasojë e motit të keq, por rezultat i drejtpërdrejtë i keqmenaxhimit, korrupsionit dhe shkatërrimit të infrastrukturës mbrojtëse.
“Shqiptarët panë me sytë e tyre se në ujërat që pushtuan mijëra banesa, u përmbyt edhe morali i kalbur i kësaj qeverie. Ndërsa njerëzit humbnin shtëpitë dhe pasuritë, pushtetarët vijonin ahengjet dhe udhëtimet”, u shpreh Berisha.
Ai akuzoi qeverinë se ka dështuar të ndërtojë dhe mirëmbajë infrastrukturën kundër përmbytjeve, duke e cilësuar situatën si një emergjencë kombëtare të shpërfillur qëllimisht.
Në fund, Berisha deklaroi se korrupsioni ka verbuar drejtuesit e vendit dhe se përgjegjësia për këtë situatë bie drejtpërdrejt mbi kryeministrin dhe rrethin e tij, duke shtuar se opozita do të vazhdojë betejën për të nxjerrë të vërtetën dhe për të mbrojtur interesin e qytetarëve.
