Dita e gjashtë e kërkimeve: Asnjë gjurmë e 30-vjeçarit Jurgen Karaj, u rrëmbye nga rrjedha pas aksidentit

Data

Kanë kaluar gjashtë ditë nga aksidenti i rëndë pranë “Urës së Halilit”, por ende nuk ka asnjë shenjë të 30-vjeçarit Jurgen Karaj, i cili dyshohet se u rrëmbye nga rrjedha e fortë e ujit pas daljes së automjetit nga rruga.

Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të datës 10 janar, kur Jurgen Karaj dhe 24-vjeçari Andi Losha, që ishte drejtuesi i mjetit, po ktheheshin në shtëpi. Automjeti u aksidentua dhe përfundoi në ujërat e zallit të Darsit. Andi Losha arriti të dalë i gjallë nga uji, ndërsa Jurgen Karaj nuk mundi të shpëtojë dhe dyshohet se u mor nga rrjedha e fortë.

Që prej ditës së aksidentit, kërkimet kanë qenë intensive. Forcat e Armatosura, shërbimet zjarrfikëse të bashkive Klos dhe Mat, si edhe familjarë dhe vullnetarë, po kontrollojnë pa ndërprerje zonën. Operacioni i kërkimit është shtrirë përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Mat, deri në liqenin e Ulzës, në një gjatësi mbi 25 kilometra.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe angazhimit të strukturave shtetërore e qytetarëve, deri në ditën e gjashtë kërkimet nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Familjarët vijojnë të shpresojnë për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit, ndërsa operacioni pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related