Një dëshmitare e njohur e çiftit ka rrëfyer në një lidhje telefonike në një emision televiziv detaje mbi jetën familjare të nënës së tre fëmijëve, të cilët pak ditë më parë u gjetën të vetëm në banesë. Ajo foli për njohjen e saj me gruan, vështirësitë që kjo e fundit ka kaluar dhe marrëdhënien problematike me ish-bashkëshortin dhe ish-vjehrrën.
Sipas dëshmitares, nëna e tre fëmijëve ka qenë gjithmonë një grua punëtore, ndërsa ish-bashkëshorti i saj kishte probleme serioze me alkoolin dhe bixhozin, çka solli pasoja të rënda ekonomike dhe familjare.
“Burri i saj pinte dhe luante bixhoz. Janë detyruar të shesin edhe shtëpinë për të larë borxhet. Këtu kanë nisur problemet e mëdha në familje”, tregoi ajo.
Dëshmitarja tha se e njeh nënën e tre fëmijëve që nga vitet 2015–2016, por prej rreth pesë vitesh nuk ka pasur më kontakte të shpeshta me të dhe nuk është në dijeni të zhvillimeve të fundit. Megjithatë, ajo theksoi se gruaja ka qenë gjithmonë e përkushtuar ndaj punës dhe familjes.
Ajo shtoi se ish-bashkëshorti kishte pasur probleme me ligjin dhe kishte përfunduar edhe në burg për vjedhje, ndërsa marrëdhënia me ish-vjehrrën ka qenë e vështirë. “Vjehrra e saj nuk sillej mirë me vajzën. Ligjin e bënte ajo”, u shpreh dëshmitarja.
Sipas saj, pamjet e publikuara së fundmi nga banesa janë tronditëse, por ajo shprehu dyshime se fëmijët janë lënë qëllimisht në atë gjendje. “Jetën e ka pasur shumë të vështirë dhe më ka ardhur shumë keq kur e pashë situatën”, përfundoi ajo.
