Në shumë zona të kryeqytetit, si: zona pranë Pediatrisë, Alliasi, Fresku, Astir, tashmë prej ditësh paraqitet një situatë emergjente për largimin e plehrave. Në shumë lagje të kryeqytetit shikon kazanë të tejmbushur me mbetje familjare, të cilat vonojnë me ditë të tëra për largimin e tyre.Kjo situatë e rëndë ekologjike me kazanë të tejmbushur, që përhapin erë të pakëndshme në një zonë të kryeqytetit, sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është krijuar nga braktisja e punës së operatorit privat, i cili po bën presion për zgjatje të kontratës.
Z.Veliaj sqaroi gjatë një aktiviteti për inspektimin e punimeve për shkollën 9-vjeçare “Lasgush Poradeci” se tashmë, Bashkia e Tiranës ka marrë në administrimin e saj, përmes kompanisë publike Eco Tirana, të gjitha zonat e pastrimit të qytetit, shërbim që deri dje kryhej nga kompanitë private, të cilat ditët e fundit e kishin braktisur punën, si formë presioni për zgjatjen e kontratës.
“Tirana është e ndarë në 5 zona: zona qendrore dhe zonat në veri, jug, lindje dhe perëndim. Në një nga zonat, operatori privat ka lënë detyrën. Një detyrë, të cilën duhet ta linte në datën 1 nëntor, siç e parashikon kontrata.
Por, duke mos pasur interes që ta vazhdojë punën pas 1 nëntorit, e ka lënë që tani. Kjo shpjegon gjithë histerinë e pastrimit për një zonë të Tiranës. Megjithatë, jam kalitur t’i duroj edhe të sharat. U bënë 9 vjet që dëgjoj gjëra të tilla, por nuk do të dorëzohem kurrë, siç nuk jam dorëzuar kurrë ndaj presionit të askujt, as të ndonjë operatori që, duke lënë plehrat pa mbledhur, jashtë kushteve të kontratës, mendon se bën presion që Bashkia e Tiranës të mos e marrë zonën nën kontroll. Përkundrazi, na e ka shtuar zellin që bashkia ta marrë zonën nën kontroll edhe më parë”, deklaroi z. Veliaj.
Ai paralajmëroi se për moszbatimin e kontratës nga privati, Bashkia e Tiranës do t’u drejtohet organeve të gjyqësorit. Ndërsa sipas ekspertëve, situata është krijuar nga ezaurimi i kapaciteteve depozituese në landfillin e Sharrës. Pra, sipas tyre, në këtë landfill ku depozitohen mbetjet edhe të Durrësit dhe të Kavajës, nuk ka vend për groposjen e tyre.
“Ne e kemi ngritur këtë shqetësim të ezaurimit të kapaciteteve të landfilleve dhe arsyeja kryesore është se nuk zbatojmë ligjin, nuk parandalojmë gjenerimin e mbetjeve, nuk ripërdorim, nuk riciklojmë, për arsye të politikës së mbrapshtë me incenerimin, ku të gjitha mbetjet me një rrymë (pra me një kosh) duhet të shkonin tek inceneratorët”, pohon Lavdosh Ferruni. Ndërsa për ish-sipërmarrësin e riciklimit të mbetjeve, z. Iljaz Mehmeti, situata është emergjente jo vetëm në landfillin e Sharrës, por edhe në Elbasan, ku ka nisur djegia në sipërfaqe e mbetjeve.
