Rasti i tre fëmijëve të mitur që u gjetën të vetëm në një banesë në zonën e plazhit në Durrës ka rikthyer debatin publik, pasi nëna e tyre ka folur sërish publikisht duke dhënë versionin e saj të ngjarjes. E reja, e denoncuar fillimisht nga ish-vjehrra, rrëfeu vështirësitë ekstreme me të cilat është përballur dhe mohoi kategorikisht se ka braktisur fëmijët.
Në një emision televiziv, ajo tha se fëmijët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe se aktualisht janë ende nën kujdes mjekësor, por pritet të dalin nga spitali në ditët në vijim. Sipas saj, ngjarja është keqinterpretuar dhe, sipas pretendimit të saj, e gjithë situata është përkeqësuar qëllimisht.
Nëna theksoi se nuk do të heqë dorë kurrë nga fëmijët dhe se gjithë përpjekjet e saj kanë qenë për t’i mbajtur ata. Ajo rrëfeu se punonte deri në 16 orë në ditë për të siguruar jetesën, ndërsa shtoi se në banesë kishin rreth 10 ditë pa ujë, gjë që e kishte bërë të pamundur mbajtjen e shtëpisë në kushte normale.
“Është e vërtetë që shtëpia ishte rrëmujë, por jo sepse fëmijët ishin të braktisur. Kam punuar pa pushim dhe kushtet kanë qenë shumë të vështira. Rrobat nuk ishin larë sepse nuk kishim ujë. Por fëmijëve të mi nuk u ka munguar asgjë”, u shpreh ajo.
Ajo deklaroi gjithashtu se ka pasur konflikte të vazhdueshme me ish-burrin dhe ish-vjehrrën, përfshirë edhe më parë urdhra mbrojtjeje, dhe se do të ndjekë rrugën ligjore për të mbrojtur veten dhe fëmijët e saj. Sipas saj, komunikimi me ish-bashkëshortin ka qenë vetëm për çështje që lidhen me fëmijët.
Në rrëfimin e saj, nëna la të kuptohej se disa sende ushqimore dhe objekte të gjetura në banesë nuk i përkisnin asaj, duke ngritur dyshime se dikush kishte hyrë në shtëpi pa dijeninë e saj.
Rasti vijon të mbetet në vëmendjen e institucioneve dhe opinionit publik, ndërsa autoritetet pritet të vlerësojnë situatën familjare dhe interesin më të lartë të fëmijëve.
