Investigative Network Albania, një media e financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka nxjerrë së fundmi një artikull alarmant për kushtet skandaloze dhe të pa certifikuara në Shqipëri. Në shkrim, thuhet se ankesat e moshës së tretë shmangen” me ilaçe për gjumë dhe nga raportet nxjerrin se të moshuarit bashkëjetojnë me të sëmurë të shëndetit mendor.
Pjesë nga investigimi i marrë me shkurtime
Të moshuarit e akomoduar në azile shtyjnë ditët e fundit të jetës në kushte të papërshtatshme, në mungesë kujdesi nga mjekët e specializuar dhe pa asnjë program social, ditor. Asnjë nga 21 shtëpitë private të të moshuarve nuk është legalizuar apo certifikuar nga autoritetet, që e “pasojnë” përgjegjësinë te njëri-tjetri. Personeli përdor “qetësuesit” nervorë për të “amortizuar” ankesat dhe për të shtuar orët e gjumit. Në periferi të kryeqytetit, në një rrugicë të ngushtë, rrethuar nga shtëpi private, në afërsi të varrezave të Tufinës, mund të jetë një vend ideal për të jetuar në paqe, sidomos për ata që nuk e duan zhurmën dhe kaosin e Tiranës, një qytet në rritje dhe në zhvillim herë kaotik e herë të strukturuar; një strehëz për ata që shumicën e jetës e kanë hedhur pas krahëve dhe që duan një vend për t`i jetuar në paqe vitet që iu kanë mbetur. Pikërisht në këtë zonë ndodhet një ndërtesë e hirtë, trekatëshe, që shërben si azil privat, i njohur për të ofruar mbështetje dhe kujdes për të moshuarit. Krahas azileve shtetërore, që sikundër shumë shërbime të tjera, një mundësi e re, e krijuar dhjetë vitet e fundit, ishte ajo e azileve private. “Në Republikën e Shqipërisë janë 6 gjashtë Institucione Rezidenciale, Publike, ku marrin shërbim 319 të moshuar dhe dy Qendra Polivalente, Ditore, Publike me 82 të moshuar”, – thuhet në përgjigjen e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale.
Raporti alarmant
Ndërsa për cilësinë e shërbimit dhe problematikat që kanë këto qendra publike, ministria nënvizon mungesën e stafeve të specializuara për ta ofruar këtë shërbim ndaj të moshuarve. Jo vetëm kaq. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në një raport të publikuar në dhjetor të vitit 2023, konkludon se, kushtet aktuale në rezidencat për të moshuar nuk i plotësojnë nevojat e të moshuarve sipas standardeve të shërbimeve të përkujdesit shoqëror për të moshuarit që jetojnë në qendrat rezidenciale, publike. KLSH rekomandon përmirësim të menjëhershëm të kujdesit shëndetësor, që të moshuarit duhet të marrin në këto qendra rezidenciale. “Në Institucionet Rezidenciale për të Moshuar nuk zbatohet asnjë program, i cili parashikon ekzaminimin dhe kryerjen e vizitave apo konsultave periodike nga mjekë specialistë, sipas nevojave të të moshuarve.” Ndërsa raporton edhe për mungesë të automjeteve, që duhet t`i disponojnë këto rezidenca në situata të urgjencave shëndetësore, KLSH ngre edhe një tjetër shqetësim në lidhje me shëndetin mendor të të moshuarve. “Pavarësisht problematikave të shëndetit mendor, që paraqet një pjesë dërrmuese e të moshuarve të akomoduar në institucionet rezidenciale, kjo kategori të moshuarish akomodohet në të njëjtat ambiente me të moshuarit e tjerë në qendrat rezidenciale dhe për trajtimin e tyre nuk është angazhuar asnjë mjek psikiatër në asnjë prej IR-ve publike”, thuhet në raportin e KLSH. Pikërisht në këtë raport-auditimi prej 40 faqesh, KLSH konstaton edhe mungesën e personelit të kualifikuar për kryerjen e shërbimeve dhe mungesën e certifikimit të kualifikimit të vazhdueshëm të personelit. Pas një periudhe transformimi demografik që ka ndodhur në vendin tonë, si dhe për shkak të rënies së fertilitetit dhe rritjes së emigracionit, Shqipëria ka filluar të përjetojë efektet e moshimit të popullatës. Nga ana tjetër, nga harta e shërbimeve shoqërore, që disponon Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, rezulton se janë 21 institucione rezidenciale, jopublike për të moshuar në Republikën e Shqipërisë.
Azilet private, të pacertifikuara
Në kahun tjetër të kryeqytetit, në një lagje të qetë të Tiranës, që lidh Saukun me unazën lindore, ngrihet një tjetër strukturë akomoduese, edhe kjo e njohur për të ofruar mbështetje dhe kujdes për të moshuarit. Në pamje të parë duket si një shtëpi e zakontë, private, e rrethuar me mure të lartë, që të krijojnë përshtypjen e një rezidence të rëndësisë së veçantë, që ruhet me kamera. Por, në fakt, nuk është asgjë më shumë sesa një godinë, brenda së cilës kalojnë ditët e mbetura rreth njëzet të moshuar të kategorive dhe problematikave të shumta. Historia e një banori të kësaj qendre po hedh dritë mbi një realitet të hidhur, që lidhet me trajtimin e të moshuarve në këto azile. Historia e Gjergjit është një rrëfim i prekshëm dhe emocionues, që ngre dyshime se ç’mund të ndodhë, kur përgjegjësia dhe kujdesi ndaj të moshuarve në azilet private nuk ndiqet në standardet e duhura. “Babai im nuk ka vuajtur kurrë nga çrregullimet mendore, por ai po merr ilaçe dhe unë nuk jam vënë në dijeni. Jam rikthyer pas dy muajsh për ta vizituar babanë dhe në komodinën e tij gjeta pakon me ilaçe skizofrenie”. Kështu e nis bisedën Entela Deçka, tashmë emigrante në Gjermani, e cila është kthyer përkohësisht në vendlindje për t’i ardhur në ndihmë të atit. Ajo thotë se historia fillon në nëntor të vitit 2022, me ardhjen e Gjergjit në azilin privat, në Tiranë. Familjarët e tij nuk mund të kujdeseshin për të, pasi kanë emigruar prej vitesh në Itali e në Gjermani. Vetmia dhe gjendja shëndetësore e babait i detyroi që të kërkonin ndihmë dhe strehim në një qendër të specializuar për të moshuarit. “Im atë pësoi trombozë në këmbën e majtë dhe ka qëndruar disa muaj në spital. Më pas, mua më duhej të kthehesha në vendin ku jetoj dhe punoj. Bashkë me tim shoq në internet gjetëm këtë azilin privat, që ofron edhe shërbim të specializuar”, – vijon bisedën vajza e Gjergjit.
Problematikat
Pasi menduan se e kishin sqaruar gjendjen shëndetësore, nevojat për shërbim dhe kujdes, ata e sistemuan të moshuarin në këtë azil. Por, teksa mendonin se problemet më të mëdha i moshuari mund t’i kishte për shkak të trombozës së pësuar kohë më parë, ata u gjenden përballë një surprize të pakëndshme, kur mësuan se ai po trajtohej edhe me barna për skizofreninë. Të afërmit e Gjergjit tregojnë se ai nuk ka vuajtur ndonjëherë nga ndonjë sëmundje mendore apo çrregullime të tjera, psikologjike. “Ai është 76 vjeç dhe kurrë nuk ka shfaqur probleme me personalitetin. Nuk mund të trajtohet me ilaçe të tilla pa një vizitë të specializuar”, – shprehet Entela Deçka. E shqetësuar për trajtimin e tij, ajo shton se ka komunikuar vazhdimisht me pronaren e azilit dhe është përpjekur që të sigurojë prej tyre raporte të vizitave mjekësore, analiza shëndetësore dhe dokumente, që konfirmojnë nga ana e azilit në fjalë nevojën për trajtimin me medikamente për çrregullime skizofrenie. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme për t’u informuar mbi ecurinë shëndetësore të babait, Entela thotë se ka hasur në refuzimin e vazhdueshëm dhe në mungesë transparence nga pronarja e azilit privat, edhe pse ka kërkuar t’i vihen në dispozicion të gjitha raportet dhe shënimet e mjekëve, që e kanë vizituar babanë e saj. Ministria e Shëndetësisë thotë se nuk e ka detyrim kontrollin e azileve private, prandaj në vijim të kërkesës për informacion pyesim mbi kriteret, që duhet të plotësojë një azil privat për t’u certifikuar.
Qetësuesit
Për t`i vërtetuar pretendimet e familjes së Gjergjit, INA Media vizitoi godinën dykatëshe, ku janë akomoduar edhe rreth 20 të moshuar të tjerë. “Janë edhe disa të moshuar të tjerë, që marrin qetësues. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Unë ua jap çdo darkë, pasi i qetëson dhe flenë më të qetë. T’i menaxhosh sjelljet e tyre, është e pamundur”, – na tha M.M , administratorja e azilit privat. Ne iu drejtuam edhe zyrtarisht azilit privat, për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si sigurohen këto ilaçe, kushtet, që ofron kjo strukturë, si dhe rreth stafit që punon aty, por nuk morëm asnjë përgjigje. Në lidhje me këtë pohim dhe faktin se këta të moshuar trajtohen me Olanzapine për të pasur një gjumë të qetë, specialistja Arjana Rreli e cilëson praktikë shqetësuese, pasi ilaçet antipsikotike përdoren për trajtimin e individëve me çrregullime të caktuara, mendore, siç mund të jetë edhe skizofrenia. Specialistët pohojnë se medikamentet qetësuese duhen përjashtuar te pacientët që vuajnë nga një sëmundje tjetër. Historia e Gjergjit është një skenar, që sugjeron shqetësime të thella rreth praktikave dhe transparencës në azilet private në Shqipëri. Çështja e përdorimit të ilaçeve antipsikotike pa diagnoza të qarta dhe në kundërshtim me gjendjen shëndetësore të pacientëve është një sfidë serioze për kujdesin shëndetësor, mendor në vendin tonë.
