Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka dërguar për gjykim dosjen penale në ngarkim të tre personave, mes tyre edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, në lidhje me skandalin e hakerimit të email-eve të prokurorëve.
Sipas hetimeve, është zbardhur në detaje skema se si janë marrë në mënyrë të paligjshme materialet hetimore dhe më pas janë shpërndarë tek persona të tjerë jashtë institucioneve të drejtësisë.
Nga aktet procedurale rezulton se Arnold Rrokaj ka aksesuar pa autorizim materiale hetimore konfidenciale të Prokurorisë së Posaçme. Një pjesë e këtyre të dhënave janë dërguar në mënyrë të paligjshme te Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët më pas i kanë shpërndarë te persona të tretë.
Prokuroria sqaron se Rrokaj dhe Gjoni janë identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orësh, çka ka bërë të mundur ndërprerjen e menjëhershme të përhapjes së materialeve sekrete dhe mbrojtjen e hetimeve në zhvillim.
Gjatë hetimeve të mëtejshme, akuzat janë zgjeruar edhe ndaj Agim Ismailit. Sipas Prokurorisë, ai jo vetëm që është njohur me përmbajtjen e materialeve të përgjuara, por i ka shpërndarë ato dhe ka kërkuar në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve, duke synuar sigurimin e të dhënave për persona të ndryshëm.
Në njoftimin zyrtar theksohet se këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të sigurisë së të dhënave, cenojnë sekretin hetimor dhe rrezikojnë seriozisht integritetin e proceseve penale.
Dosja tashmë është dërguar për gjykim, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka bërë të qartë se do të vijojë ndjekjen penale ndaj çdo personi të përfshirë në këtë skemë, duke e cilësuar rastin si një precedent të rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor.
