Seman shkatërron gjithçka/ Përmbytjet fundosin serat në Fier, fermerët drejt falimentit: Kërkojmë dëmshpërblim

Data

Përmbytjet e shkaktuara nga dalja e lumit Seman nga shtrati kanë sjellë dëme shkatërruese për fermerët në zonën e Fier-it. Mbi 8.5 hektarë sera janë përmbytur pas dëmtimeve të argjinaturës, duke asgjësuar plotësisht prodhimin bujqësor të sezonit të hershëm.

Fermerët tregojnë se bimët janë kalbur nga uji dhe balta, ndërsa shpresa për prodhim këtë vit ka marrë fund. Shumë prej tyre janë përmbytur dy herë brenda muajit janar, duke u përballur me humbje të rënda financiare.

“Kam 7 dynym sera, domate dhe tranguj, të gjitha të mbytura. Kam hedhur rreth 6 milionë lekë të vjetra dhe gjithçka është shkatërruar. Sa i mbolla përsëri, uji hyri sërish”, shprehen fermerët të dëshpëruar.

Sipas tyre, nëse përmbytjet nuk do të kishin ndodhur, prodhimi do të ishte gati për treg, por sot tunelet e serrave janë të mbushura vetëm me bimë të kalbura dhe baltë. Dëmet nuk kufizohen vetëm te perimet, por prekin edhe grurin, agrumet dhe investimet afatgjata të familjeve bujqësore.

“Kërkojmë dëmshpërblim. Kjo bimë ka vdekur. Ne nuk na mbyt shiu, por digat dhe argjinaturat e dështuara”, thonë ata, duke theksuar se janë lënë të vetëm përballë katastrofës.

Për shumë familje, serat ishin burimi i vetëm i jetesës: këstet e kredive, faturat mujore dhe mbijetesa e përditshme. Sot, sipas tyre, ka mbetur vetëm plastmasi i serrave dhe borxhet.

“Kredia është 1.7 milionë lekë, dëmi shkon mbi 13 milionë. U kthyem nga emigrimi për të investuar këtu, tani jemi gati të ikim sërish. Jemi në hall të madh”, shprehen fermerët.

Në vend të prodhimit dhe fitimit, ky sezon për ta do të mbahet mend vetëm për gjurmët e baltës dhe shkatërrimin që la pas përmbytja e lumit Seman.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related