Arratisja e Altin Ndocit ka sjellë zhvillime të reja në dosjen “Plumbi i Artë”, e cila u shqyrtua këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në seancë u bë e ditur zyrtarisht se Ndoci nuk mund të shoqërohej në gjykatë, pasi është arratisur nga Spitali i Durrësit dhe tashmë është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.
Pas përfundimit të seancës, avokati mbrojtës i Ndocit, Aldo Shkëmbi, deklaroi për mediat se nuk ka pasur asnjë kontakt me klientin e tij në periudhën e fundit. Ai theksoi se po kryen verifikime lidhur me rrethanat e arratisjes dhe se do të kërkojë edhe librin e takimeve të burgut për të sqaruar se kush e ka takuar Ndocin.
Sipas avokatit, marrëdhënia mes tij dhe klientit ka qenë thjesht formale dhe profesionale, ndërsa nuk ka pasur komunikime fizike apo telefonike mes tyre prej kohësh. Shkëmbi u shpreh se, për shkak se seancat janë zhvilluar rregullisht dhe informacioni është bërë publik, nuk e ka parë të nevojshme të realizojë takime shtesë me të pandehurin.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të arratisjes, duke u fokusuar te shkeljet e protokollit të sigurisë dhe roli i personave që mund të kenë ndihmuar në planifikimin e largimit të Ndocit.
