Në 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Kompleksi Memorial në Reçak, e cilësoi këtë ngjarje si një krim kundër njerëzimit dhe dëshmi të qartë të qëllimit shfarosës të regjimit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Ajo theksoi se masakra ndaj 45 civilëve të pafajshëm mbetet një plagë e hapur për familjet e viktimave dhe për gjithë shoqërinë kosovare, pasi drejtësia ende mungon. Sipas saj, mohimi i vazhdueshëm i krimit nga Serbia përbën një krim të dyfishtë dhe tregon se mentaliteti i së kaluarës vazhdon të jetë i pranishëm.
Osmani u shpreh se Reçaku dhe plagët e tij ende flasin, sepse dhimbja mbetet po aq e freskët sa 27 vite më parë. Ajo nënvizoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën historike, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare.
Presidentja theksoi se liria, pavarësia dhe demokracia që gëzon sot Kosova janë ndërtuar mbi sakrificën e martirëve të Reçakut dhe dëshmorëve të UÇK-së. “Sot jemi të lirë dhe gëzojmë pavarësinë në shtetin tonë sovran, sepse themelet e Kosovës janë bërë të forta nga sakrifica e atyre që dhanë jetën për liri”, u shpreh ajo.
