Pas rreth 6 orëve seancë, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e parë të partive për pezullim të ndryshimeve në Kodin e ri Zgjedhor, të miratuara në fund të korrikut nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.
Kërkesa lidhej me çështjen e “listave të kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive politike”, i cili me ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor parashikon që lista e deputetëve do të jetë pjesërisht e hapur.
Në padi specifikohej se deputetët duhet të vendosen nga qytetarët, jo partitë, ndërsa kanë kërkuar lista të hapura.
Me vendim të sotëm të Kushtetueses, gazetari Isa Myzyraj sqaron për “Ora News” se nuk është rrëzuar kërkesa e ankimuesve për ligjin, por thjesht kërkesa për pezullimin e ligjit.
DEKLARATAT NË SEANCËN E SOTME:
Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi e quajti iniciativën e tyre përmes ankimimit në Kushtetuese si të domosdoshme për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Ai i kërkoi anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojnë a është e moralshme kjo marrëveshje PS e PD e kthyer tashmë në ligj.
“Ky ligj që është sot i ka të gjithë elementët për të qenë kushtetues. Ju mund ta kaloni, por dhe mund ta ndryshoni. Unë them se Gjykata Kushtetuese duhet të shkojë në thelb të ligjit. Mazhorancat kanë të drejtën e vet të bëjnë ligje. Në këtë rast kemi një marrëveshjes mes dy mazhorancave, PD e PS, por Gjykata Kushtetuese nuk është thjesht për të mbrojtur mazhorancën apo për t’i dhënë të drejtë, por për të mbrojtur minorancën. Kështu garantohen të gjithë palët. Edhe zotërinjtë e dy palëve të mazhorancës që kanë bërë këtë marrëveshje që është kthyer me ligj të ruajnë të drejtat e veta që kanë pretenduar por dhe pjesa tjetër e shqiptarëve që mendojnë për ndryshim të kenë mundësi të marrin të drejtat e veta. Kanë bërë një gardh, kanë rrethuar kundërshtarët e vet që t’ia bëjnë të pamundur të konkurrojnë politikisht”, tha Shehi.
