Përmbytjet e fundit në vend, veçanërisht në qarkun e Fierit, kanë rrëzuar propagandën qeveritare për investimet në mbrojtjen e tokave bujqësore. Kështu deklaroi zëdhënësja Antikorrupsion e Partisë Demokratike, Genta Vangjeli, e cila akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku për keqmenaxhim dhe abuzim me fondet publike.
Në një deklaratë për mediat, Vangjeli theksoi se përmbytjet nga lumi Seman nxorën në pah dështimin e investimeve të shpallura si “suksese madhore” nga qeveria, ndërsa fermerët dhe banorët po përballen me dëme të mëdha ekonomike.
Sipas saj, vetëm disa muaj më parë, Rama, Balluku dhe ministrja e Bujqësisë inspektuan punimet për rehabilitimin e argjinaturës së majtë të lumit Seman në bashkinë Fier, duke deklaruar se investimi kishte përmirësuar mbrojtjen në rreth 8 kilometra dhe kishte shpëtuar nga përmbytjet rreth 5 mijë hektarë tokë bujqësore. Gjithashtu u pretendua se në qarkun e Fierit janë investuar miliona euro për sistemet e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet.
Por, sipas PD-së, realiteti është krejt ndryshe. Reshjet intensive dhe rritja e prurjeve të lumit Seman çanë argjinaturat në disa segmente, duke përmbytur sipërfaqe të mëdha toke bujqësore dhe dhjetëra banesa. Vetëm në fshatin Hasturkas në Libofshë raportohet se janë përmbytur rreth 20 shtëpi, ndërsa dëmet në bujqësi llogariten në miliona euro.
“Kjo situatë ngre pyetje të rënda dhe të pashmangshme: kush mban përgjegjësi për milionat e shpenzuara dhe kush mban përgjegjësi për dëmet e shkaktuara qytetarëve dhe fermerëve?”, u shpreh Vangjeli. Ajo e cilësoi propagandën e investimeve si një mashtrim dhe qeverisjen si të paaftë dhe grabitqare.
Në përfundim, Partia Demokratike i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë, duke theksuar se Prokuroria e Posaçme duhet të nisë hetime për mënyrën se si janë përdorur fondet dhe për përgjegjësit e situatës së krijuar nga përmbytjet.
