Goditet trafiku i drogës në Fushë-Krujë: Arrestohet transportuesi, sekuestrohen 60 kg kanabis me vlerë 60 mijë euro

Data

Një operacion i mirëorganizuar policor ka çuar në goditjen e një rasti të rëndë të trafikut të lëndëve narkotike në zonën e Fushë-Krujës. Si rezultat i operacionit të koduar “Cargo”, policia ka arrestuar në flagrancë një 52-vjeçar, i cili po transportonte një sasi të konsiderueshme kanabisi me qëllim shitjen.

Operacioni u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, pas informacioneve të siguruara mbi një aktivitet kriminal të organizuar në fushën e narkotikëve. Ndërhyrja u krye në fshatin Luz, ku shërbimet e policisë ndaluan automjetin që drejtohej nga shtetasi A. M., banues në Krujë.

Gjatë kontrollit të mjetit, policia zbuloi 6 thasë me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis sativa, me peshë totale rreth 60 kilogramë. Sipas hetimeve paraprake, sasia e drogës kapte një vlerë tregu prej rreth 60 mijë eurosh dhe dyshohet se do të shpërndahej në doza të vogla në Krujë dhe në Tiranë.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e përdorur për transport dhe një aparat celular. Ndërkohë, policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa 52-vjeçari do të përballet me akuzën për “prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related