Greqia është goditur sërish sot nga një zinxhir tërmetesh, duke shkaktuar panik te banorët dhe rritur frikën për lëkundje të tjera të mundshme.
Pas tërmetit të regjistruar në orët e mëngjesit në ishullin turistik të Santorinit, me magnitudë 3.2 ballë të shkallës Rihter, pak pas mesditës janë raportuar lëkundje të njëpasnjëshme tektonike në zonën e Kyllinit.
Sipas ekspertëve të sizmiologjisë, tërmeti më i fortë i këtij zinxhiri ka pasur një magnitudë 3.5 ballë, i cilësuar si mesatarisht i lehtë. Megjithatë, dridhjet janë ndjerë mjaft qartë, për shkak të vazhdimësisë dhe kohëzgjatjes së tyre.
Sizmologët bëjnë me dije se tërmete të vogla deri në të moderuara janë regjistruar në rajonin e Kyllinit që nga fillimi i muajit janar. Që prej 6 janarit 2026, zona ka shfaqur aktivitet sizmik të shtuar, me një seri lëkundjesh të afërta në kohë.
Ekspertët theksojnë se situata po monitorohet nga afër, por aktualisht nuk ka tregues për një tërmet të madh në horizont. Aktiviteti konsiderohet brenda parametrave të zakonshëm për këtë zonë sizmike.
Deri më tani nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar.
