Kontroll në qelinë e të burgosurit në Burrel që tentoi të arratisej, shkak një audioregjistrim dhe postim në Instagram

Data

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka urdhëruar kontroll urgjent në qelinë e të burgosurit Fatmir Pjetri, i cili vuan dënimin në burgun e Burrelit. Pjetri njihet si pjesë e bandës së ashtuquajtur “Babagjyshët”.

Sipas gazetares Anila Hoxha, shkak për këtë kontroll është bërë publikimi në Instagram i një audioregjistrimi, ku i dënuari akuzon Drejtorinë e Burgjeve se nuk e ka lejuar të botojë një roman të shkruar prej tij, me arsyetimin se përmban akte dhune.

Kontrolli synon të zbulojë si është realizuar regjistrimi audio brenda qelisë dhe si është bërë i mundur publikimi në rrjetet sociale, duke ngritur dyshime për shkelje serioze të sigurisë në institucionin e vuajtjes së dënimit.

Tentativa e arratisjes në vitin 2025

Fatmir Pjetri ka tentuar të arratisej në vitin 2025, kur ndodhej në burgun 313 në Tiranë. Ai, në bashkëpunim me të paraburgosurin Arbër Çekaj, kishte planifikuar largimin nga burgu duke përdorur çarçafë të lidhur si litar.

Sipas dosjes hetimore, gjatë tentativës Pjetri ka goditur me hekur në kokë një gardian, si dhe ka plagosur një punonjës tjetër të burgut. Të dy të burgosurit u neutralizuan dhe u izoluan në dhoma veçimi.

Ndaj tyre u ngrit akuza për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, e kryer në bashkëpunim.

Profil kriminal

40-vjeçari nga Puka rezulton i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 2013, ai u bë pjesë e bandës së “Babagjyshëve”, e përfshirë në grabitje të shumta në Tiranë, Durrës, Berat, Shkodër, Lezhë, Kuçovë, Laç dhe Fushë-Krujë.

Grabitja që shkaktoi më shumë bujë ishte ajo e një argjendarie në një qendër tregtare në Tiranë, e cila tronditi opinionin publik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related