Si ishte jeta në socializëm dhe çfarë po ndodh në demokraci, nga debati për fenë, fjalimi i 6 shkurtit ’67 i Enver Hoxhës, te ngjarjet e kobshme të 2 Prillit ’92, 1997-ës, “Gërdeci” dhe “21 Janari”, Muharrem Xhafa rrëfen të pathënat e dy sistemeve në Shqipëri

Data

Si ishte jeta në socializëm dhe çfarë po ndodh në demokraci, pse vijon ende debati për fenë dhe kush janë disa nga ngjarjet e shënuara që kanë ndodhur në Shqipëri. Për këto dhe të tjera detaje gazeta “SOT”, bisedoi me ish-shefin e Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës, Muharrem Xhafa. Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, tregoi se çfarë ndodhi në socializëm dhe çfarë po ndodh në demokraci. Ndërkohë teksa rrëfen të pathënat e dy sistemeve në vendin tonë, zoti Xhafa e ndal theksin tek fjalimi i 6 shkurtit ’67 i Enver Hoxhës dhe ngjarjet e kobshme të 2 Prillit ’92, 1997-ës, “Gërdeci” dhe “21 Janari”.

– Zoti Xhafa, kam vënë re si gazetar që ka një përhapje të gjerë të fesë në vendin tonë. Si mendoni?

Rigels, unë nuk jam historian i fesë, siç janë historianët e mirëfilltë të saj, që, për fat të keq, më duket se kanë “ulur kokën”. Megjithatë, duke ju falënderuar, unë do të them disa gjëra. Së pari, është mirë kur njerëzit kanë njohuri për fenë, por ata duhet të jenë edhe të bindur që feja ka lindur pas njeriut, është e përkohshme, ka karakter shoqëror e historik dhe i shërben klasës në fuqi për të droguar dhe shfrytëzuar masat e popullit. Së dyti, uroj të mos jem i saktë, por shoh pak ose hiç përpjekje, që feja e shqiptarit është shqiptaria, që toleranca fetare të vlerësohet dhe që kleri i fesë të jetë kritik ndaj dukurive negative të shoqërisë. Rrallë e hiç dëgjojmë të thuhet nga kleri fetar se feja e shqiptarit është shqiptaria dhe se toleranca fetare është një virtyt i shqiptarëve etj. Njerëzit atdhetarë kanë të drejtë që thonë se pavarësia e fesë dhe e klerit të saj kanë bjerrur gati krejt dhe që klerit e praktikave të fesë po u jepet shumë vend në mediat shqiptare. Mbase, kjo bëhet për para, po më ngjan që mediat janë bërë palë me fenë dhe anasjelltas, çka nuk ndodh në botën e qytetëruar, se është tjetër t’i pasqyrosh dhe tjetër t’i komentosh e t’i propagandosh fenë e ritet e saj. Së treti, për drejtimin e saj feja ka klerin e vet, i cili në vendin tonë është katolik e ortodoks dhe mysliman dhe përbëhet nga klerikë që kryejnë shërbime fetare, i cili e paraqet fenë të përjetshme, të lindur para njeriut dhe që mohon se është përkohshme. Sipas tij, feja nuk ka karakter shoqëror, klasor dhe historik, pohime që bëhen jo se nuk e di të vërtetën, por sepse është në shërbim të saj.

– Shkenca e historisë çfarë ka treguar dhe na mëson?

Shkenca e historisë ka treguar dhe na mëson shumë gjëra. Por se pari, mendoj se është shkenca e arkeologjisë ajo që ka vërtetuar e para me gërmimet e saj se feja ka lindur pas njeriut, ndërsa historia na mëson se fenë në vendin tonë të lashtë e kanë sjellë pushtuesit e huaj së bashku me pushtimin dhe se fetë i janë imponuar popullit tonë prej pushtuesve të huaj. Në fakt, kjo ka ndodhur, qysh para erës së re, kur Ilirinë dhe ilirët, paraardhësit a të parët tanë, i pushtoi Roma, Perandoria e Romës. Së dyti, shqiptarët kanë mësuar nga historia se është pushtuesi turk (osman) ai që i imponoi popullit tonë myslimanizmin, fenë e tij, duke përdorur herë miklimet e herë dhunën. Si pushtues, ai ka bërë shumë përpjekje për të nxitur në popull pëçarje, mëri, grindje, etj, sepse e kishte më lehtë ta mbante popullin të nënshtruar. Pushtuesi turk (osman) i shpallte latinët të gjithë katolikë, pa qenë të tillë, i shpallte ortodoksët të gjithë grekë, pa qenë të tillë, kurse myslimanët i shpallte të gjithë turq, pa qenë turq! Së treti, të kundërtën bënë rilindasit tanë të mëdhenj. Edhe pse vendi ynë ishte i pushtuar dhe nën Turqinë osmane, ata i bënin thirrje popullit shqiptar të ishte i bashkuar dhe se, mbi të gjitha, qëndronin interesat e kombit dhe të atdheut, se “feja e shqiptarit është shqiptaria”, jo feja turke, jo Turqia. Së katërti, çdo shqiptar, i besimit të krishter apo i besimit mysliman, duhet të dijë se feja me klerikët e saj i ka pritur me lule pushtuesit e huaj, i ka “bekuar” ata dhe e ka mbështetur pushtuesin të realizojë shfrytëzimin e masave popullore nga klasa shtypëse në pushtet. Së pesti, kleri ka jetuar në luks dhe s’ka qenë aspak kritik për gjithë ato dukuri të natyrës e të shoqërisë, si: përmbytjet, zhdukjet, vrasjet, rrahjet, rrëmbimet, dhunimet, abuzimet,keqtrajtimet e nënave, grave, fëmijëve, etj, etj?! Kush i bëri 2 prillin, 1997-n, Gërdecin, 21 janarin?! Kush u tha krimineleve Millosheviç dhe Vuçiç, etj.të bënin në Kosovë masakër dhe shfarosje të nënave, fëmijëve, grave dhe pleqve, të dëbonin nga trojet e veta gati një milion kosovarë?! Kush u tha kriminelëve të vritnin heroinat e Mirditës, Bardhok Bibën, Ndrec Ndue Gjokën etj?!Kush i tha Hitlerit të ndërmerrte sulmin për shfarosjen e botës? Pse nuk i ndalën “zoti” dhe feja me klerin e saj ato dukuri jo njerëzore? Pa harruar që Feja me klerin e saj bën shumë moralizime dhe ia dedikon gjithçka “zotit”, jo punës së njeriut? A nuk e di ajo dhe kleri i saj se mund të lutesh natë e ditë me duartë dhe sytë nga qielli dhe se asgjë nuk vjen prej atij veprimi?! S’është çudi të jetë duke u gjallëruar edhe ndonjë fé tjetër e fshehtë!

– A mund të jetë komunist edhe një besimtar ose anasjelltas?

Jo, një besimtar nuk mund të jetë edhe komunist, sepse komunisti bart ideologji komuniste, jo fetare. Por kjo nuk do të thotë që komunisti të bëjë “luftë” dhe grindje kundër njerëzve që besojnë në fé dhe praktikojnë ritet, festat e praktikat fetare. Një komunist mund të ketë në familjen e tij njerëz që besojnë në fé, që praktikojnë ritet dhe festojnë festat fetare, që frekuentojnë vendet e “shenjta”, objektet e kultit, etj. Po, ai e ajo ose ata e ato duhet të jenë kundërshtarë e kundërshtare ideologjikë/e të atyre, por duhet të jenë argumentues/e jo të terstë e të tersta dhe përjashtues/e me ata njerëz. Pa dyshim, kjo edhe anasjelltas: ata e ato qytetarë/e që besojnë në fé dhe zbatojnë praktikat dhe ritet e saj nuk duhet t’u kundërvihen ateistëve dhe komunistëve me agresivitet dhe ashpërsi për faktin se ata e ato nuk besojnë në fé dhe sepse nuk praktikojnë ritet e festat fetare. Si thoshte shoku Enver Hoxha : jemi kundër dhe të papajtueshëm me konceptet e zakonet prapanike që bartin, por jo me bartësit e tyre. Po, shteti dhe shkolla duhet të jenë të ndarë me ligj nga feja. Mirëpo në jetë, nuk shohim të jetë kështu! Kjo tregon se për fenë po e mbështet shkollën edhe shteti! Që të binden njerëzit se as shteti dhe as shkolla nuk janë të ndarë nga feja, kleri e praktikat e saj, le të shihet se ç’propagandë e keqe bëhet nga mediat shqiptare në mbështetje të fesë e të festave të saj. Disa nxënës e nxënëse shkollash mbajnë ramazan, mbajnë shami në kokë etj, madje bëjnë hapur në shembullin e medias, propagandë etj.. Edhe feja po përpiqet të hyjë gjerësisht në shkolla, në rini, në brezin e ri të Shqipërisë, për të siguruar të ardhmen e saj. Po shteti ç’bën, pse hesht?Si banorë të një vendi e qytetarë të një shteti, si komunisti edhe ateisti, si besimtari edhe kleriku, duhet të respektojnë njeri tjetrin. Se dikush mund të jetë besimtar, dikush tjetër jo, dikush mund të jetë ateist, dikush tjetër jo, dikush mund të jetë komunist, dikush tjetër jo, dikush mund të jetë ateist, por jo komunist, por të gjithë duhet, siç thamë, të respektojnë njeri tjetrin, sepse atdheun e kemi të përbashkët dhe duhet t’i shërbejmë atij. Shembullin duhet ta japë shteti! Vetë feja duhet të zbatojë strikt rregullat e veta! Vetë shkolla duhet të zbatojë strikt rregullat e saj! Vetë shteti duhet të zbatojë me korrektesë ligjet dhe Kushtetutën e tij!

– Po fjala e 6 shkurtit e vitit 1967 e Enver Hoxhës?

Dëgjo, i nderuar, Rigels! Kjo, siç të thashë, kërkon një analizë të veçantë dhe të plotë, ndaj ritheksoj që intervistën e plotë ta bëjmë një herë tjetër. Po të shihet me vëmendje, fjala e 6 shkurtit e vitit 1967, Enver Hoxha e vë theksin në luftën kundër burokratizmit e indiferentizmit të komunistëve e ateistëve, të administratës shtetërore dhe në mpleksjen e zakoneve prapanike me fenë, që rëndonin mbi gratë e vajzat në veçanti, mbi familjen dhe gjithë shoqërinë. Ato zakone prapanike, që e mbanin gruan mbyllur në shtëpi etj, etj. duheshin braktisur një orë e më parë! Edhe sot kështu duhet bërë! Qenia në punë e grave ishte jo vetëm nevojë për ndërtimin e mbrojtjen e vendit, po ishte edhe një nevojë e domosdoshme për emancipimin e vetë grave, të familjes dhe të gjithë shoqërisë! Dhe sot kështu duhet bërë! Koncepti i gabuar, që gruaja dhe fëmijët ishin “pronë” e burrit, e babait, se ato duhej t’i bindeshin atij edhe kur e kishte gabim, ishte tejet i dëmshëm. Edhe sot është zakon shumë i dëmshëm! Fejesat e vajzave e të djemve, që në bark të nënës e që në djep, martesat e vajzave e të djemve, pa i pyetur fare, me këmbim, shitblerja e tyre, mbajtja e perçes etj., etj., ishin problem shoqëror i madh dhe duheshin luftuar pa mëdyshje. Pa mëdyshje duhen luftuar edhe sot. Krejt të patolerueshme e të dënueshme ishin edhe rastet e shthurjes morale të familjes. Kjo nuk është aspak ndërhyrje në jetën personale të tjetrit! Disa thonë se feja nuk përbënte ndonjë rrezik për shoqërinë. Jo, jo, ajo pengonte shumë! Edhe sot pengon shumë! Jo më kot përmenda që njëri ndër faktorët më të rëndësishëm, që ndihmon në socializëm për të shkëputur njerëzit nga ndikimi i fesë dhe i praktikave të saj është pjesëmarrja aktive dhe e organizuar e masave të popullit, e grave dhe burrave, në punën për ndërtimin e mbrojtjen e fitoreve të arritura. Kjo i bën ato e ata të kuptojnë se nuk janë të pafuqishme para forcave të verbra të natyrës dhe para forcave të tjera social-klasore të regjimeve shtypëse. Është kjo që i bën masat të krijojnë kushte e mundësi të favorshme për zëvendësimin e zakoneve të vjetra e të prapambetura me norma e zakone të reja përparimtare, të kohës.

– Më duket që disa intelektualë kanë “frikë” të deklarohen ateistë ose besimtarë! Ju ç’mendim keni?

E kam vënë re këtë dukuri, madje kjo u bë “modë”, po kushdo qoftë e ka gabim. Sa di unë, në Angli, në SHBA, në Francë, në Itali e në vendet e tjera të botës së qytetëruar, shumë intelektualë ateistë ose jo kanë guxuar dhe guxojnë të deklarohen se janë ose besimtarë ose ateistë. Kështu duhet të jetë edhe në vendin tonë! Askush nuk duhet të tutet e të ketë “turp” për të thënë të vërtetën se çfarë është, besimtar apo jo, sepse nuk është turp të deklarohesh ashtu siç je! Populli i urren njerëzit me “dy fytyra”! Diçka e tillë është vënë re edhe në komente televizive dhe artikuj shtypi, ku janë nxitur “debate” të panevojshme deri për Skënderbeun. Nisur nga emri Skënder, që ia kanë vënë turqit, disa e kanë cilësuar Heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun, si mysliman; të tjerë, nisur nga emri Gjergj e kanë trajtuar si katolik, disa të tjerë e kanë cilësuar si ortodoks e deri “kaçak”, që paskej “vrarë” shumë myslimanë, ndaj dhe nuk mund “te jetë” Heroi ynë Kombëtar e përralla të tjera! Ata janë shprehur kështu jo se nuk e kanë ditur të vertetën për Skënderbeun! Intelektualë të shquar si Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Xhemil Frashëri, Majkom Zeqo, etj, ndjesë paçin; Pëllumb Xhufi, Mariglen Kasmi, etj, kanë botuar libra, kanë shkruar artikuj, kanë dhënë vlerësime dhe kanë bërë sqarime të mençura, duke e paraqitur Skënderbeun, ashtu siç është në të vërtetë : SHQIPTAR, “Hero Kombëtar”! Njerëzit tanë këtyre historianëve të mençur duhet t’u dëgjojë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related