Pesë shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet spanjolle nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Operacioni u zhvillua në Portin e Vigos, ku policia sekuestroi rreth 200 kilogramë kokainë të fshehura në një kontejner në një anije tregtare.
Sipas mediave spanjolle, ngarkesa e drogës mbërriti në terminalin portual të Vigos me një anije kontejnerësh që udhëtonte nga Amerika e Jugut drejt Europës, në itinerarin e njohur si “rruga e frutave”, e përdorur zakonisht për transportin e produkteve bujqësore.
Autoritetet spanjolle, në bashkëpunim me Shërbimin e Mbikëqyrjes Doganore, kishin informacion paraprak për një ngarkesë të dyshimtë dhe po monitoronin mbërritjen e anijes. Pas kontrollit të kontejnerit, u zbulua sasia e konsiderueshme e kokainës, duke çuar menjëherë në arrestimin e pesë personave të dyshuar si pjesë e rrjetit kriminal.
Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji në Portin e Vigos. Vetëm një vit më parë, policia spanjolle bllokoi një tjetër ngarkesë prej 1.250 kilogramësh kokainë, e lidhur po ashtu me rrjete kriminale shqiptare, që kishte ardhur nga Ekuadori. Në atë operacion u arrestuan nëntë persona, shqiptarë dhe belgë.
Hetimet vijojnë për të zbuluar gjithë rrjetin e përfshirë dhe destinacionin final të lëndës narkotike.
