Shkodra po ndërton një vizion të ri kulturor, që e vendos trashëgiminë në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit. Pasuria kulturore e saj ishte në fokus të një takimi mes ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe stafit teknik të ministrisë.
Gjatë takimit u diskutua një qasje e re zhvillimi, ku trashëgimia kulturore, turizmi, mobiliteti i qëndrueshëm dhe infrastruktura moderne ndërthuren në një vizion të unifikuar për qytetin.
Në thelb të këtij vizioni qëndron projekti strategjik “Porta e Alpeve”, një korridor kulturor dhe turistik që synon ta shndërrojë Shkodrën në hyrjen kryesore të Alpeve Shqiptare. Projekti parashikon lidhjen e transportit të gjelbër, hapësirave publike dhe ofertës kulturore në një strukturë të integruar.
Vizioni kulturor për Shkodrën përfshin gjithashtu:
- ngritjen e një rrjeti muzesh në formën e një Museum Quarter, si një pol i ri muzeor dhe kreativ
- krijimin e itinerareve të gjelbra për këmbësorë dhe biçikleta, që lidhin monumentet, muzetë dhe hapësirat historike
- rijetëzimin e muzeve dhe banesave historike, duke forcuar identitetin kulturor të qytetit
- krijimin e hapësirave të reja publike për komunitetin dhe vizitorët
Sipas ministrit Gonxhja, kjo qasje e re synon të ruajë dhe të valorizojë trashëgiminë e pasur të Shkodrës, duke e shndërruar qytetin jo vetëm në një destinacion kulturor të rëndësishëm, por edhe në një qendër të qëndrueshme zhvillimi për gjithë rajonin.
