Në renditjen e fillimit të vitit 2024, viti më i hershëm kur Shqipëria është përfshirë në këtë tregues, vendi renditej në vend të 32, me 13.8 vite, duke lënë pas ndër të tjera Maqedoninë e Veriut (14.8) dhe Serbinë (16.8), që ishte e fundit në listë.
Përkeqësimi në renditjen e fundit tregon për një rritje më të shpejtë të çmimeve të apartamenteve në raport me të ardhurat. Në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto për vitin 2024, sipas INSTAT, arriti në 77.5 mijë lekë/ muaj, ose rreth 770 euro. Megjithatë, pagat në Shqipëri mbeten rreth 30% më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit.
Paga më e lartë mesatare mujore bruto është në Serbi, më 1150 euro në muaj (135,403 dinarë serbë). Në Bosnjë dhe Hercegovinë, paga është gati 1100 euro (2140 Bam). Në Mal të Zi paga është 1083 euro. Edhe Maqedonia e Veriut paguan mesatarisht punonjësit me më shumë se një mijë euro në muaj, konkretisht 62 mijë dinarë maqedonas, ose 1020 euro në muaj.
Rritja e çmimeve të apartamenteve ka qenë shumë më e shpejtë, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për një familje që të blejë një shtëpi. Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se çmimet e banesave iu kthyen rritjes së shpejtë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar.
Indeksi Fischer i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë tregoi që çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës u rrit me 23.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 44.5% në krahasim me një vit më parë.
Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, në kryeqytet, çmimet e shitjes në disa prej zonave periferike nga Paskuqani në Shkozë variojnë nga 900 deri 1,400 euro për metër katror. Banesat brenda zonës së verdhë të ndërtimit ofrohen me çmime shitje mbi 1,500 euro për metër katror.
Ndërsa në zonat e qendrës dhe brenda Unazës së Vogël nuk gjen më apartamente me çmime nën 2,000 euro për metër katror dhe sa më shumë i afrohesh qendrës çmimet arrijnë në 3-4 mijë euro/metër katror. Në zonën pranë liqenit dhe në kullat në qendër të Tiranës, çmimet fillojnë nga 5 mijë euro për metër katror.
