Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka intensifikuar verifikimet mbi të ashtuquajturin Durana Tech Park në Xhafzotaj të Durrësit, një projekt i prezantuar si park teknologjik e shkencor, por që në terren rezulton të mos ekzistojë.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se prokurorët po analizojnë kompani specifike të regjistruara në këtë park, të cilat dyshohet se kanë lidhje direkte ose indirekte me aferën e AKSHI-t dhe me përfitime nga tenderë publikë. Hetimi nuk është i përgjithshëm, por i fokusuar te subjekte të caktuara që sipas SPAK mund të kenë shërbyer si nyje lidhëse mes biznesit privat dhe pushtetit.
Në qendër të vëmendjes ndodhet Korporata e Investimeve Shqiptare, e drejtuar nga Elira Kokona, e cila akuzohet se ka ngritur në letra një park teknologjik fiktiv, pa ndërtime, pa infrastrukturë dhe pa aktivitet real ekonomik.
Nga projekt strategjik në park imagjinar
Durana Tech Park u promovua si një projekt kyç për zhvillimin teknologjik të vendit, pas interesimit të një kompanie të madhe amerikane të softuerëve për zhvendosjen e mijëra punonjësve nga Ukraina drejt Shqipërisë. Ligji për parqet teknologjike u ndërtua pikërisht mbi këtë interes strategjik.
Megjithatë, për më shumë se tre vite, nuk u ndërtua asnjë objekt, nuk u vendos asnjë tullë dhe nuk u realizua asnjë investim real. Përballë ultimatumit të kompanisë së huaj, zgjidhja e zgjedhur ishte kthimi i parkut në një strukturë thjesht virtuale, duke çuar në braktisjen përfundimtare të Shqipërisë nga investitori.
Dyshime për parajsë fiskale dhe favore selektive
Sipas ekspertëve të ekonomisë, Durana u shndërrua në një zonë privilegjesh ekstreme fiskale, me përjashtime totale nga tatim-fitimi, TVSH-ja, taksat doganore dhe lehtësime të tjera për vite me radhë. Por hyrja në këtë “zonë” nuk ishte e lirë për këdo – përfitonin vetëm subjekte të përzgjedhura, sipas lidhjeve dhe ndikimit politik.
Po ashtu, ka dyshime se kompanitë e regjistruara në këtë park imagjinar kishin akses të privilegjuar në tendera publikë, veçanërisht në sektorin e teknologjisë dhe shërbimeve shtetërore.
Fondet vazhdojnë për një park që nuk ekziston
Një tjetër element që ka ngritur alarmin është fakti se, edhe pse parku nuk ekziston fizikisht, fondet publike kanë vijuar të lëvrohen. Në fund të vitit 2025, është miratuar një shpenzim prej dhjetëra milionë lekësh për furnizim me energji elektrike të Duranës, pavarësisht se në Xhafzotaj nuk ka asnjë objekt funksional.
Dyshime për zhdukje provash
Pas denoncimeve publike dhe interesimit të shtuar mediatik, të gjitha informacionet mbi projektin Durana Tech Park janë fshirë nga faqja zyrtare e Korporatës së Investimeve Shqiptare, pa asnjë sqarim apo njoftim publik. Ky veprim ka ngritur dyshime serioze për përpjekje për zhdukje ose manipulim provash.
Hetimet e SPAK pritet të thellohen, ndërsa burime flasin për një aferë që mund të përfshijë nivele të larta të administratës dhe vendimmarrjes politike, me pasoja të rënda penale dhe institucionale.
