Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në një lokal në Deçan. Si pasojë e ngjarjes, tre persona kanë mbetur të plagosur.
Sipas policisë, të lënduarit janë transportuar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe më pas janë dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës, ku po marrin trajtim mjekësor.
Autori i dyshuar i të shtënave është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një armë zjarri, një karikator dhe nëntë fishekë.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të incidentit, të cilat ende nuk janë bërë të ditura.
