Salianji: Ja pse në PD nuk përmendet Niko Peleshi, ka lidhje me emërime dhe interesa lokale

Data

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zbuluar prapaskena të forta brenda selisë blu, duke shpjeguar arsyet pse, sipas tij, një pjesë e drejtuesve të PD-së shmangin kritikën ndaj Niko Peleshit. I ftuar në një emision televiziv, Salianji mohoi akuzat se takimet e tij me demokratët në bazë i shërbejnë kryeministrit Edi Rama dhe hodhi akuza të drejtpërdrejta për bashkëpunime të fshehta në nivel lokal.

Duke iu referuar takimit të zhvilluar në Korçë, Salianji deklaroi se një pjesë e strukturave të PD-së janë të lidhura me Niko Peleshin, të cilin e cilësoi si “pronarin e qytetit”, për shkak të ndikimit që ai ushtron në emërimet në bashki dhe institucione të tjera vendore.

“Pse nuk e përmendin Niko Peleshin? Sepse kanë shokë dhe njerëz të tyre që i kanë futur në punë në bashki dhe institucione shtetërore. Kjo është arsyeja”, u shpreh Salianji.

Ai shtoi se në Korçë ekziston një “klub shokësh” që, sipas tij, kontrollon institucione të rëndësishme lokale, ndërsa një pjesë e drejtuesve të PD-së janë bërë pjesë e këtij rrethi interesi. Salianji deklaroi se persona që sot drejtojnë institucione në qytet kanë lidhje të drejtpërdrejta me këtë rrjet.

“E dini që Niko Peleshi është thuajse pronari i qytetit? Ka emëruar njerëz kudo dhe një pjesë e PD-së është kapur nga këto interesa”, tha ai.

Salianji kundërshtoi edhe pretendimet se takimet e tij dëmtojnë opozitën, duke theksuar se njerëzit që marrin pjesë në këto tubime janë demokratë që i shërbejnë PD-së dhe jo qeverisë.

“Si i shërbej unë Ramës kur në treçerekun e fjalimit tim sulmoj qeverinë? Problemi i vërtetë është pse po mblidhen njerëz dhe pse po flitet hapur”, u shpreh ai.

I pyetur nëse synon përballje me lidershipin aktual të PD-së, Salianji theksoi se beteja e tij nuk është kundër Partisë Demokratike, por kundër një lidershipi që, sipas tij, e ka marrë peng partinë.

“PD nuk është pronë e individëve. Të matemi me votë dhe me njerëzit”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related